BUKURESHT, 11 dhjetor /ATSH/- Një ukrainas i cili nisi një udhëtim të rrezikshëm – duke u larguar nga vendi i tij i shkatërruar nga lufta – në Rumani, u shpëtua në një luginë të thellë malore me temperatura nën zero – i shoqëruar nga kotelja e tij disamuajshe e quajtur Peach, sipas AP.
“Një ekip prej më shumë se 10 punonjësish, u angazhuan gjatë një stuhie të ashpër për të shpëtuar Vladislav Duda, 28 vjeç – i cili u gjet “i lagur dhe i ngrirë” në një luginë të thellë 400 metra – në rajonin verior Maramures javën e kaluar”, sipas shërbimit të shpëtimit malor të rajonit.
Duda ishte arratisur nga Ukraina për të shmangur shërbimin ushtarak në vendin e tij.
“Macja ishte e ngrohtë dhe po e ngrohte atë… kështu që ai i shpëtoi jetën”, tha Dan Benga, drejtori i shërbimit të shpëtimit malor Maramures.
“E vetmja gjë për të cilën ai shqetesohej ishte macja. Ai nuk kujdesej për veten”, shtoi ai.
Kur ekipi i shpëtimit gjeti ukrainasin, ata hapën zinxhirin e xhaketës së tij dhe zbuluan se Peach ishte strukur brenda.
Benga kujtoi se e kishte pyetur Duda nëse ishte mirë, për të cilën ai i ishte përgjigjur: “Jam i lumtur sepse macja ime është gjallë. Zoti më dha një shans – për një jetë të re”.
“Ky është momenti më i lumtur sepse macja është këtu me mua”, tha Duda.
Kotelja ngjyrë gështenjë, një mace e quajtur “Peach”, po përjetonte efektet e kequshqyerjes pasi i kishte mbaruar ushqimi katër ditë më parë – dhe bora e shkrirë e kishte ndihmuar atë për të qenë në jetë.
“Është si një ëndërr, pas gjithë asaj që kam kaluar, shpresoja vetëm të gjendesha dhe të mbijetoja”, tha Duda, i cili punonte si gazetar në Ukrainë.
“Peach ma mbajti zemrën të ngrohtë dhe ai e mbajti të gjallë besimin tim”, tha ai.
Duda la shtëpinë e tij në rajonin e Kharkivit – të shkatërruar nga lufta – në Ukrainë më shumë se një javë përpara se të ngecte me macen e tij në vargmalin malor Karpate, i cili përshkon Rumaninë veriore dhe Ukrainën jugperëndimore.
Ndërsa Peach është macja e parë e shpëtuar nga rajoni malor rumun, Duda është vetëm një nga shumë burra ukrainas që kanë rrezikuar jetën e tyre – duke përshkuar kushtet e vështira të maleve për të shmangur shërbimin ushtarak të detyrushëm në vendin e tyre. //a.i/























