Ballina Bota

Rrëfimi për ”Insider” i David Packouz, ortak i Diverolit për biznesin e municioneve në Shqipëri

TIRANË, 10 dhjetor /ATSH/ – David Packouz, ortak i Efraim Diverolit në biznesin e municioneve në Gërdec, ka treguar në një dokumentar për ”Insider”, historinë e tregtisë së municioneve me qeverinë shqiptare të kohës.

”Unë quhem David Packooz dhe jam një ish-trafikant armësh.

Jam arrestuar për trafikim transnacional municionesh ushtarake me vlerë 300 milionë dollarë.

Ja se si funksionon krimi.

Në prapaskenë ndodhin më shumë gjëra se sa ajo që njerëzit mund të mendojnë dhe zakonisht pasi morëm miratimin e njerëzve të pushtetshëm dhe kur filluam të fitojmë kontrata me vlera të mëdha, e kuptuam se po shkelnim në zona të minuara. Mendoj se kam qenë jashtëzakonisht me fat. Kam kaluar një eksperiencë të çmendur dhe i kam  shpëtuar vdekjes për pak, i kam shpëtuar burgut dhe për këtë ndihem përjetësisht mirënjohës.

Madje ka edhe një film për jetën time dhe këtë e thonë shumë njerëz apo jo?

Sigurisht që nuk e kisha parashikuar se do bëhesha një trafikant armësh. Në fillim të të njëzetave, studioja për kimi në universitet dhe punoja me kohë të pjesshme si fizioterapist, madje bëja edhe punë të tjera shtesë, shisja karta memorie digjitale (SD cards) online, shisja çarçafë, peshqirë në azile pleqsh dhe më vonë rastësisht takova një shokun tim, të cilin e njihja që fëmijë, një djalë me emrin Efraim Diveroli, kompania e të cilit quhej AEY Inc.

Në fillim ishim miq, në çdo moment që ishim zgjuar punonim si qeni për të kapur kontrata, për t’i mbyllur në kohë dhe për të gjetur burime dhe kështu pamë të publikuar këtë kërkesë në faqen e qeverisë dhe bëhej fjalë për municione.

Më saktësisht nuk ishin armë, por plumba, 150 milionë plumba për armë AK47, 30 milionë fishekë për automatikë PKM, 1,1 milionë granata, 70 mijë raketa anti-AR. Pra bëhej fjalë për stoqe të mëdha armësh.

Nuk kishim parë një gjë të tillë më përpara. Kjo kontratë e veçantë ishte për ushtrinë kombëtare afgane, furnizimi sigurohej nga ushtria amerikane sepse ne kishim pushtuar Afganistanin dhe pas 11 shtatorit administrata e drejtuar nga Bush vendosi t’i armatoste afganët deri në dhëmbë në mënyrë që të kishin gjithmonë municion gjendje, nëse administrata e radhës do të tërhiqej nga Afganistani.

Ligjërisht oficerit kontraktues në qeverinë federale nuk i lejohet të të tregojë ofertën e konkurentit, por gjatë një bisede telefonike oficeri përgjegjës për kontratat më tha se “ne duam t’ju ndihmojmë, sepse duam të fitoni, vumë re që ishit shumë konkurrues megjithëse ofruat 52 milionë dollarë më pak se konkurrenti tjetër”.

Ishim në garë me kompanive publike shumëmiliardëshe me 70 vite përvojë. Ata kryen një sërë auditesh në kompaninë tonë, bënë një audit financiar, donin të kontrollonin a kishim likuiditet, i bënë kontroll logjistikës, madje na kontrolluan dhe ofertën, ku na kërkuan të listonim të gjithë furnitorët tanë, kërkuan t’u vihej në dispozicion dokumentacioni nga vinte dhe ku do shkonte. Kërkuan një certifikatë përdoruesish fundorë, çështja është nëse ushtria nuk e ka më nën kontroll pajisjen, nuk ka rëndësi sa certifikata përdoruesish fundorë do nënshkruajnë, mund të përfundojnë në duart e personave të paautorizuar. Ju patë video që tregojnë talebanë duke ngarë makina amerikane “Humvees” dhe duke përdorur armë amerikane, përfshirë këtu edhe municionet qe ne dërguam në Afganistan.

Kur fituam kontratën, ndiheshim si në qiellin e shtatë. Miku im më tha, vishu se do ta festojmë dhe më çon në një restorant italian dhe porosit shampanjë për gjithë tavolinën. Njerëzit mendonim se thjesht po argëtoheshim. Dilnim dhe festonim në Miami, merrnim drogë dhe shoqëroheshim me femra e plot gjëra të tjera.

Praktikisht, e gjitha kjo ishte një pjesë e vogël  sepse ne punonim shumë më tepër se sa argëtoheshim nëpër festa. Përpara se t’i hyja këtij biznesi, nuk kisha aspak informacion për armët, madje as nuk kisha prekur edhe një armë të vetme deri në momentin kur filluam të fitojmë kontrata me vlera të mëdha dhe të prekeshim nga situata ndërkombëtare politikë. Vetëm atëherë e kuptuam se po shkelnim në zona të minuara.

Prodhimi – Municioni i periudhës sovjetike

Praktikisht, SHBA janë prodhuesit më të mëdhenj të armëve në botë, por edhe eksportuesit më të mëdhenj. Ka dy kalibra armësh në botë, pra dy sisteme të ndryshme armësh, kemi Paktin e Varshavës, që prodhohet nga ish-republikat e Bashkimit Sovjetik dhe NATO që prodhohet nga Aleanca e NATO-s në Perëndim dhe nuk janë ndërkompaktibël. SHBA nuk prodhojnë armët e Traktatit të Varshavës, dhe kur duan të furnizojnë një vend me këto armë u drejtohen palëve të treta, që kryesisht janë ish-republikat sovjetike.

SHBA kanë vendosur embargo për armët në shumë vende për arsye nga më të ndryshmet. Kina ishte nën embargo në 1989 sepse për shkak të masakrës ne sheshin “Tienanmen”, me pas vendosen embargo armësh për Rusinë pak përpara se ne të fitonim kontratën. SHBA po planifikonte të blinte gjithë stokun e municioneve nga Rusia sepse ishte e vetmja furnitore e listës së municioneve që kërkonte të siguronte.

Prandaj hapi thirrjen për ofertën më të mirë për agjentë shitjesh si ne për t’u ofruar çmime për çdo produkt sepse nuk donin të hynin në marrëveshje me 50 persona, por me një ndërmjetës të cilët më pas kontaktonin me furnitorë fundorë për ta.

Për municionin më kalibër të vogël 776 me 39, që përdoret nga AK47, që është pushka standarde e Paktit të Varshavës, çmimi më i mirë që siguruam vinte nga Shqipëria.

Në atë periudhë Shqipëria kishte një stok të madh municionesh AK47 dhe ishin në negociata për anëtarësim në NATO. Një nga kërkesat për t’u anëtarësuar në NATO ishte eliminimi i municioneve të periudhës sovjetike. Mendoj se ka më shumë shkelje të Kodit të Punës në prodhimin e veshjeve sesa të prodhimit të armëve.

Problemi me industrinë e armëve për sa i përket sigurisë në punë është se ajo prodhon mallra të rrezikshme dhe sigurisht prodhuesit duan të parandalojnë fatkeqësi si këto sepse ato dëmtojnë biznesin, nuk është gjë e mirë për bilancin nëse shpërthen fabrika, kështu që tregohen të kujdesshëm për të parandaluar situata të tilla.

Nga ana tjetër, ka pasur një rast famëkeq në Shqipëri në një qytezë të quajtur Gërdec, ku qeveria shqiptare kishte filluar procesin e shkatërrimit të armëve, disa prej të cilave ishin trashëguar nga periudha ish-sovjetike. Ky proces po kryhej në një mënyrë të pakujdesshme dhe të papërgjegjshme dhe për mendimin tim shkaktoi shpërthimin më të madh jobërthamor në histori. Mënyra se si marrëveshja në Shqipëri erdhi, për ne ishte kur ne ishim përfshirë në marrëdhënie biznesi me një trafikant zviceran, Henri Tome në film ai personazh luhet nga Bradly Cooper.

Ai kishte shumë lidhje, veçanërisht në Ballkan dhe kjo ishte arsyeja pse siguroi një marrëveshje për municionin e AK47 më një çmim shumë të mirë për ne. Ne paguanim Henrin dhe Henri paguante palën shqiptare.

E njohëm Henrin nëpërmjet investitorit tonë Eim. Ai nuk kishtë paratë dhe kërkonte investitorë, babai i tij e prezantoi me dikë me të cilin kishin bërë biznes me një djalë të quajtur Ralf Merill, kështu që Ralf kishte qenë në marrëdhënie biznesi me Henrin qysh në fillim të viteve ‘90.  Henri u përpoq të qëndronte sa më larg vëmendjes, nuk binte në sy dhe po ta ndeshje në rrugë, të linte përshtypjen që punonte në kasë. Ka shumë ndërmjetës të përfshirë në tregtinë e armëve dhe zakonisht i dallon kur arrestohen gjatë operacioneve ligjzbatuese. Viktor Bout është ndërmjetësi më i famshëm. Është trafikanti rus i armëve, historia e të cilit tregohet në filmin “Zoti i luftës”, ku rolin e tij e luan Nicholas Cage. Pjesa më e madhe e ndërmjetësve përpiqen të punojnë sa më shumë që të jetë e mundur brenda mundësive që u lejon ligji, e kështu ka më pak rreziqe për ta. Henry punonte në të njëjtën mënyrë. Shqetësohej për sistemin ndërkombëtar dhe organizatat e ndryshme qe synonin të ndërhynin në transaksionet e tij të biznesit dhe kështu që i duhej të ndiqte logjistikën dhe burimet e furnizimit

Skema: Pa emaile dhe mesazhe tekst

Ishte një grup njerëzish që do të hapnin arkat prej druri dhe kutitë prej metali

Ishte një grup njerëzish që do të hapnin arkat prej druri dhe kutitë prej metali për t’i vendosur municionet në çanta të trasha plastike dhe më pas në kuti kartoni të trasha sepse në këtë mënyrë minimizonin peshën e transportit sepse çdo gjë e nisnim me avion drejt Afganistanit.

Sepse Afganistani është i rrethuar nga vende të paqëndrueshme dhe është shumë e rrezikshme të bëhet dërgesa e armëve me tokë në Afganistan.

Aleksi ishte shoku im më i mirë – kur ne po kërkonim dikë që të menaxhonte situatën e ripaketimit në Shqipëri.

Ne e punësuam atë të shkonte atje dhe ta bënte atë. Në fillim nuk e dinim se do të bënim ripaketim, por donim që ai thjesht të shkonte atje dhe të inspektonte pasi kishte një përvojë ushtarake.

Dhe më pas ai zbuloi se municioni ishte me origjinë kineze. Kishte shenja kineze në të gjithë arkat e drurit – dhe në të gjithë kanoçet metalike.

Efraimi tha: “Dëgjoni, se do të flisnim vetëm në telefon për këtë. Mirë, vetëm në rast se nuk mundemi, pa e-mail, as mesazhe tekst”.

Por, Efraimi donte të ishte i sigurt se Aleksi po i jepte informacionin e saktë.

Kështu ai këmbënguli që Aleksi t’i dërgonte me email fotografitë e kutive të arkave.

Pastaj, të gjithë filluan të flisnin hapur për të – dhe aty u krijuan mjaft emaile – ku ishte shumë e qartë dhe specifike për atë që po bënim.

Ne thjesht nuk donim të merrnim rrezikun e humbjes së një kontrate prej 300 milionë dollarësh – dhe kështu u menduam mirë – se ndoshta nuk duhet t’u tregonim atyre.

Ndoshta duhet të ripaketonim municionet, që të mos dyshonin për asgjë.

Dhe kështu bëmë – punësuam një djalë shqiptar të quajtur Kosta Trebicka – i cili zotëronte një kompani prodhuese të kutive të kartonit në Shqipëri – për të siguruar kutitë dhe për të siguruar punën për ripaketimin e municioneve – për të hequr qafe të gjitha gjurmët kineze.

Dhe ne filluam ta dorëzojmë atë në atë konfigurim. Bëhej fjalë për 100 milionë fishekë që duhej të ripaketonim.

Nuk ishim 100% të sigurt se ishte ilegale, pasi municioni që blinim nga Shqipëria kishte ardhur fillimisht nga Kina, po, kishte ardhur nga Kina në vitet ’70.

Kjo është shumë përpara se të vendosej embargoja e armëve. Pra, municioni nuk shkelte kushtet e embargos së armëve, ishte i ligjshëm për sa i përket kushteve të embargos së armëve.

Por, ajo ka shkelur kushtet e kontratës sonë tregtare me ushtrinë.

Nëse do të dërgonim këtë lloj municioni – do të ishte një shkelje e kontratës – pasi kontrata jonë në mënyrë specifike thoshte se nuk kishte një periudhë municionesh kineze.

Aty ku ruanin të gjitha armët dhe municionet gjithsesi ishin nën armët e vogla, ishin në bunkerë të nëndheshëm.

Ata ndërtuan në Shqipëri një rrjet masiv bunkerësh nëntokësorë dhe e mbushën atë me të gjitha armët e vogla dhe municionet, për t’u mbrojtur nga bombardimet.

Kështu, kur shkuam atje për ta inspektuar – aty na çuan në këta bunkerë shumë të gjatë të ngushtë nëntokësorë.

Kushdo që e njeh historinë e Shqipërisë – e dinte se pjesa dërrmuese e municioneve vinte nga Kina.

Ne si dy të rritur nga Miami – nuk e dinim këtë.

Ushtria amerikane duhet ta dinte këtë – nëse e dinin që në fillim, nuk e di.

Por, unë e di se Ralfi shkoi në gjyq – emailet e brendshme të qeverisë u dorëzuan – dhe ushtria tha se këto municione ishin të rëndësishme për misionin në Afganistan.

Një herë “New York Times” botoi një artikull shumë të turpshëm dhe ekspozoi të gjithë situatën – dhe më pas u shtirën sikur nuk e kishin idenë dhe anuluan kontratën.

Transporti ajror “Taktika fuqishme e Forcave Ushtarake”

Ka shumë mundësi, në çdo hap të lojës, por në sferën e logjistikës është veçanërisht e ndjeshme ndaj kësaj.

Njerëzit janë të dëshpëruar për të lëvizur mallrat e tyre nga një vend në tjetrin – pasi ju nevojiten leje kalimi nga çdo vend, për të transportuar pajisje ushtarake mbi hapësirën e tyre ajrore.

Ne nuk mund të bënim dot asnjë dërgesë të vetme derisa çdo vend midis Shqipërisë dhe Afganistanit të na jepte leje kalimi.

Turkmenistani refuzoi të na jepte lejen e kalimit.

Dhe atëherë kuptova se Turkmenistani kishte një linjë ajrore kombëtare dhe ata ofronin shërbime të shpërndarjes së ngarkesave.

Kështu, mora një ofertë dërgese prej tyre,  për të transportuar municionet nga Shqipëria në Afganistan, ata na dhanë një ofertë që ishte çuditërisht konkurruese.

Dhe pastaj të nesërmen, pasi pranuam kuotën, Turkmenistani lëshoi ​​lejen e kalimit. Pra, u desh vetëm pak nxitje financiare. Një situatë e dyshimte që pamë në logjistikë.

Ne kishim 747 avionë mallrash të ngarkuar me municion e AK47 me vlerë rreth gjysmë milioni – 600 mijë dollarë.

Vendi për të furnizuar me karburant Kirgistanin është në veri të Afganistanit dhe SHBA-ja ka një bazë të Forcave Ajrore atje, të cilën ata e përdorin si një pikë ndalimi në Afganistan.

Qeveria e Kirgistanit pretendoi se ne nuk i kishim të gjitha autorizimet e duhura dhe ata konfiskuan avionin me dërgesën tonë.

Dhe ne e dinim që i kishim të gjitha autorizimet e duhura, sepse përndryshe avioni nuk do të ngrihej.

Pra, ne po pyesnim veten se çfarë po ndodhte – dhe doli që ata po përpiqeshin të rrisnin qiranë në bazën e Forcave Ajrore.

Përfundimisht, ata vërtet rinegociuan, dyfishuan qiranë në bazën e Forcave Ajrore – mendoj 60 milionë dollarë në vit – dhe më pas lëshuan avionin tonë.

Pra, ne u përdorëm në këto lloj taktikash të fuqishme të forcave te armatosura në përpjekje për të grumbulluar më shumë para’ nga qeveria federale – nga qeveria e SHBA-së.

Ishte padyshim një situatë ku menduam se, po ndodhnin manovra të ndryshme politike – dhe ne nuk e kishim idenë se çfarë po ndodhte – dhe nuk kishim as kontroll ndaj kësaj.

Dhe, gjithçka që mund të bënim ishte vetëm të informonim Departamentin amerikan të Shtetit dhe ushtrinë e SHBA-së për këtë – dhe të shpresonim se do e ngrinin atë në disa nivele në zinxhirin komandues – dhe të rregullonin atë që ata përfundimisht kishin bërë – në situatën e Kirgistanit.

Kur gjërat filluan të shkonin mirë, dhe ne filluam të dërgonim rregullisht – dhe Kosta, djali shqiptar i prodhimit të kutive – po bënte ripaketimin, ne po dërgonim tre, katër avionë me ngarkesa në javë, Efraimi vendosi të grumbullonte më shumë para nga marrëveshja – siç bënte gjithmonë.

Ai e pyeti Kostën, nëse mund të mësonte se sa paguante Ministria e Mbrojtjes për municionet që ne po blinim  – sepse ne po paguanim Henrin – shitësin zviceran të armëve.

Dhe ne mund t’ i paguanim shqiptarët direkt. Kështu, Kosta u kthye disa ditë më vonë – dhe na tha se municioni po paguhej dy cent në Ministrinë e Mbrojtjes.

Dhe ne po paguanim Henrin katër cent – kështu që Efraimi u mërziti pa fund.

Kështu, Efraimi vendosi të shkonte në Shqipëri për të tentuar të rinegocionte me shqiptarët dhe të përpiqej të bënte një marrëveshje direkt me ta.

Ai më kërkoi të falsifikoja një mori dokumentesh që të dukej si “konkurrentët” e shqiptarëve.

Furnizuesit tanë të tjerë na jepnin çmime shumë më të mira se sa ishin në të vërtetë.

Është, çuditërisht e lehtë për të falsifikuar dokumente, veçanërisht nëse keni një dokument legjitim – dhe gjithçka që duhet të bëni është të ndryshoni disa numra në të.

Dhe ua çuam ato dokumente shqiptarëve – dhe u thamë: “shikoni, nëse nuk na jepni një çmim më të mirë – duhet të kalojmë me konkurrentët tuaj, me çekët, ukrainasit”.

Dhe shqiptarët i hodhën një sy, dhe na thanë se ato dokumente ishin të gjitha false – “Mos më tregoni dokumentet tuaja false”.

Pra, ata e kuptuan menjëherë. Ata organizuan një takim me një djalë të quajtur Mihal Delijorgji.

Kështu, Efraimi u takua me Delijorgjin dhe një djalë tjetër që ishte në takim – i cili më vonë u njoh – si djali i kryeministrit.

Delijorgji i thotë Efraimit: “E di, e di që do një çmim më të mirë për municionet – dhe gjithashtu e di që po e paguan këtë djalin shqiptar, Kostën – për të bërë ripaketimin – pra pse nuk ma jep mua atë kontratën për të bërë ripaketimin. Do të fitoj para në kontratën e ripaketimit – atëherë mund t’ju bëj një zbritje të vogël për municionet – pasi ju e dini që po fitoj para diku tjetër”.

Dhe Efraimi tha, kjo është një ide e mirë, ai djalë është pushuar nga puna, ju jeni i punësuar. Le ta bëjmë këtë.

Më merr Kosta në telefon – dhe më thotë: “Ju e dini, e kuptoj që ju djema po ndërroni furnitorët për të bërë ripaketimin – e kuptoj që është biznes – por unë i nisa me entuziazëm këto kuti kartoni me vlerë 20 000 dollarë. Unë të them pse nuk e paguan Kostën 20 dollarë dhe i merr kutitë.

Dhe Efraimi tha – Jo… çfarë ka ndërmend të bëjë ai.

Dhe unë thashë, ai di gjithçka, apo jo. Dhe unë i thashë – a je i sigurt që dëshiron ta bësh këtë Efraim? dhe ai tha “po. Ai nuk do të bëjë asgjë”.

Kështu që doli se ai kishte gabuar – sepse Kosta u mërzit shumë për ato kuti me vlerë 20 000 dollarë.

Dhe ai kontaktoi “New York Times” dhe kështu “New York Times” nisi një hetim ndaj nesh-  që përfundimisht çoi në rënien tonë.

Dhe ai kontaktoi shtypin vendas shqiptar dhe i njoftoi gazetarët shqiptarë se politikanët shqiptarë po merrnin ryshfete nga kontrata jonë.

Dhe një ose dy javë më vonë, ai përfundoi i vdekur, në rrethana misterioze.

Ai u gjet në një rrugë në mes të një fushe, askush tjetër ishte përreth, dhe besohet se ishte përplasur me makinën e tij.

Ata e gjetën atë me fytyrën poshtë në dhe’, me makinën e tij të rrokullisur 30 metra larg tij.

Pra, dua të them nëse ishte një aksident – ky është një aksident shumë i çuditshëm.

Mendoj se Shqipëria ka një histori shumë të gjatë të krimit të organizuar dhe se krimi i organizuar ishte i përfshirë në sistemin politik.

Unë, përfundimisht nuk do të shkoj kurrë në Shqipëri – mendoj se do të qëndroj larg atij vendi – e dini – për çdo rast.

Nuk jam më i shqetësuar për këtë, sepse ishte rreth 18 vjet më parë.

Dhe shumë njerëz të përfshirë kanë përfunduar në burg në Shqipëri. Kështu, Delijorgji përfundoi në burg. Edhe Ylli Ponari, personi në krye të kompanisë së eksportit përfundoi në burg. I biri i kryeministrit më paditi mua për shpifje. Gjyqi u mbyll.

Paratë – Grupi ”Vagner”

Përfundimisht, sa më e paligjshme të jetë një punë, aq më e lartë është përqindja. Dua të them se kështu është natyra e punës. Sa më i madh rreziku, aq më i madh shpërblimi. Grupi Vagner nga Rusia ka fitimet më të shumta në botë në biznesin e armëve. Ata u ofrojnë diktatorëve shërbime në fushën ushtarake. Dhe kjo në këmbim të aksesit në minierat e arit dhe të diamanteve. Çdo marrëveshje për armët është unike. Për shembull, sipas kontratës tonë, Henri i paguante qeverisë shqiptare dy centë për plumb. Ndërsa ne i paguanim atij katër centë për një plumb. Na kushtonte pesë centë një plumb me gjithë transport. Dhe ne ia shisnim qeverisë se Shteteve të Bashkuara për 10 centë e gjysmë. Pra, në kishim 1 cent e gjysmë fitim ose një cak fitimi prej 15% mbi ato municione, në total. Në përgjithësi, biznesi ka elementin e shfrytëzimit të njerëzve dhe organizatave duke përfituar nga ata të cilët janë me më pak fat. Në rastin tonë, kur Delijorgji mori përsipër ripaketimin, në fakt ai kishte ushtrinë shqiptare që do të përdorte ushtarët për të bërë ripaketimin. Dhe unë dyshoj që ai t’i ketë paguar diçka më shumë sesa rroga e vogël që ata merrnin si ushtarë. Ndërsa, Kosta, i cili ishte biznesmen privat, duhej t’i paguante punëtorët një rrogë normale. Ata nuk merrnin rrogë nga qeveria ashtu siç merrte personeli ushtarak, kështu që ai po bënte shumë më pak para.

Pasojat

I zënë në kurth nga ATF-ja (agjencia amerikane për alkoolin, duhanin dhe armët) “New York Times” e botoi artikullin në mars 2008. Ishte një artikull që i thoshte gjërat troç. Kishte një fotografi të municioneve që kishin zënë ndryshk në faqe të parë të “New York Times”.

Ishte një fotografi e dhënë nga policia. Municioni ishte bullgar. Kjo ishte diçka e paparë sepse ishte një sasi e vogël dhe ne kishim më shumë vend në avionin nga Bullgaria. Granatat ne i blinim nga Bullgaria. Ishin të prishura dhe zor se funksiononin. Oficeri që do t’i merrte në Kabul tha se nuk do të paguante për to, pra kundërshtoi t’i merrte.

Sidoqoftë, ata nuk kishin ndonjë vend ku të bënin riciklimin e municioneve në Afganistan dhe nuk donin as të paguanin as rrugën e kthimit. Por, ata i lëvizën municionet në anë të aeroportit ku i lanë të prisheshin akoma më shumë. Dhe këtu gjërat u shembën. Departamenti i Drejtësisë kontrolloi zyrat ekzekutive. Në këtë pikë, i famshmi më informoi mua se ai nuk do të më paguante as mua. Kështu, që e lashë këtë punë. Departamenti i Drejtësisë tha se kur e dinit që vendi i vërtetë i origjinës ishte Kina dhe për më tepër bëtë edhe një operacion ripaketimi për ta mbuluar këtë fakt, çdo vërtetim përshtatje që i dorëzuar qeverise përbën akt mashtrimi. Dhe ju keni dërguar 71 ngarkesa me avion me municion kinez. Pra, keni 71 akte mashtrimi. Dhe për çdo akt dënohesh me pesë vjet burg, pra 355 vite burg.

Ose, në qoftë se pranon fajin, mund të marrësh një dënim maksimumi pesë vjet burg. Kështu, unë pranova fajin dhe jam shumë me fat dhe mora një dënim prej shtatë muajsh arrest shtëpie dhe nuk bëra burg. Drejtuesi mund të dënohej pak a shumë njësoj ose diçka më shumë. Por, ai nuk mund të largohej nga biznesi i armëve. Përfundimisht, ai ra në kurth nga agjencia ligjzbatuese për alkoolin, duhanin dhe armët dhe u kap me revolver. Por, ai mori avokatët më të mirë të Majamit dhe arriti ta negociojë dënimin duke e ulur deri në katër vjet.

Natyrisht, unë u ndjeva i tradhtuar. Ai ishte shoku im më i mirë dhe të gjitha kontratat e mëparshme që kishim fituar ai i merrte fitimet, ku unë duhej të paguhesha dhe i kalonte për në kontratën e ardhshme për ta financuar.

Ai thoshte: Dëgjo, unë po përdor paratë e mia për të financuar këto kontrata. Ti duhet të përdorësh paratë e tua. Ti bëre një tufë para’ me këtë kontratë dhe ne sapo fituam një kontratë tjetër. Pra, përse të mos i marrim paratë nga kjo kontratë dhe të financojmë tjetrën, dhe më pas tjetrën e kështu më radhë.

Dhe tek e fundit, ai vendosi të mos më paguajë për asnjë nga kontratat. Kështu që unë nuk mora asnjë cent nga gjithë kjo punë. Pra, nuk jemi shokë. Hera e fundit që e pashë është kur e padita për të marrë paratë dhe ai bëri sikur u gëzua që më pa duke thënë: O, sa mirë që të pashë.

Por, unë jo. Kur të më japësh pesë milionë dollarët që më detyrohesh, atëherë do të jem i gëzuar që të pashë, ndoshta. Por, jo më përpara. Ndihem të jem me shumë fat. Kalova një eksperiencë të çmendur dhe ia dola të shpëtoj pa më vrarë, pa bërë burg dhe për këtë jam pafundësisht mirënjohës.

Kontrata jonë shkaktoi skandal politik. Ata shtrënguan procesin e rishikimit dhe kontrollit të procedurave. Njoh ende disa njerëz të cilët kanë kontrata biznesi me qeverinë dhe më kanë thënë se gjërat nuk kanë ndryshuar aq shumë. Më kanë thënë për shembull se kostot plus kontratat janë shumë më të rralla këto kohë. Një kontratë me kosto plus është kontrata ku qeveria të kërkon të krijosh një produkt specifik apo të bësh një shërbim specifik. Ata të paguajnë hakun sa kushton plus një përqindje të caktuar fitimi. Shembulli më i famshëm i kësaj është “Lockheed Martin” kur ata ndërtuan avionin luftarak F-35 ndërsa po krijonin një platform të re teknologjike dhe nuk e dinin se sa do t’i kushtonte ky avion, pra, ata hynë në kontrata me kosto plus, sipas së cilës cilado shumë që kërkonin ata për ta bërë këtë punë, qeveria do të financonte si dhe do te jepte një përqindje fitimi. SpaceX ka kontrata me NASA-n për të transportuar astronautë në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor. Dhe këto janë kontrata me pagesë të fikse. Ata e bëjnë të gjithë punën mbi bazën e një pagese të caktuar fikse dhe jo mbi bazën e Kontratës Kosto-Plus. Kjo është një ndër kontratat e para të hapësirës që u bë me një kontratë me çmim fiks.

Qen lufte – Një marrëveshje ”Beretta”

Mënyra sesi doli filmi ishte kështu. Revista “RollingStone” botoi një artikull të gjatë për historinë tonë në 2011, pasi ne ishim dënuar. Filmi e bën historinë tonë shumë më emocionuese sesa ishte ngjarja reale çdo ditë. Ishte një film i bërë mirë dhe isha i lumtur që doli. Ishte i saktë rreth 70%. Unë isha tre sekonda në ekranin e Famës ku Miles Teller, aktori që më luan mua, përpiqet t’i shesë çarçafë një azili pleqsh. Dhe, ashtu si në pesë minutat e para të filmit, një djalë atje i bie kitarës për të moshuarit atje në azil.

Skena për të cilën njerëzit më pyetën më shumë nëse ishte e vërtetë ishte trekëndëshi i skenës së vdekjes. Dhe gjëja më për të qeshur është se në fakt është e vërtetë, por jo plotësisht, nuk na ndodhi ne. I ndodhi atij që shkroi skenarin e “Qen të luftës”. Ai quhet, Steven Chin. Ne nuk shkuam kurrë në Irak. Ekzistonte një marrëveshje për pistoleta të markës “Beretta”, në të cilën u bazua i gjithë trekëndëshi i skenës së vdekjes. Ajo pjesë është e vërtetë, por që ne nuk qemë në gjendje ta përmbushnim atë kontratë.

Nuk e zbatuam asnjëherë atë kontratë. Një skenë tjetër, që qe tërësisht e trilluar, ishte skena ku Efraimi blen kanabis, por që i mashtron trafikantët dhe nxjerr automatikun duke hapur zjarr në ajër duke marrë mbrapsht 300 dollarët e tij. Kjo nuk ka ndodhur kurrë. Ne kishim armë automatike në bagazh. Kjo është e vërtetë. Kishim lejë federale për armëmbajtje, kështu që ligjërisht na lejohej të mbanim armë automatike. Merrnim armë plotësisht automatike të markës “Uzi” në poligon dhe qëllonim me to në poligon. Gjithë të tjerët bënin qitje me të shtëna një e nga një me pistoleta, ndërsa ne me breshëri automatikësh. Të gjithë të tjerët ndalonin dhe shikonin me habi sikur pyesnin: “Kush janë këta”? Ishte bukur, por s’i kemi përdorur kurrë armët në trafikun e drogës.

Ekziston gjithmonë rreziku i korruptimit në tregtinë e armëve. Pjesa më e madhe e këtij aktiviteti kryhet në mënyrë të heshtur, pasi ekziston një element shumë i madh politik. Tregtia e armëve është gjithmonë si loja “kapi macja miun” dhe personat që përpiqen të shmangin dhe bindin mekanizmat ligjorë në tregtinë ndërkombëtare janë gjithmonë në kërkim të rrugëdaljeve, ndërkohë që zyrtarët e zbatimit të ligjit gjithmonë përpiqen t’i mbyllin këto rrugëdalje. Nuk mund t’iu them se sot ekzistojnë më shumë rrugëdalje të hapura, apo të mbyllura, por jam i sigurt që ka rrugëdalje të ndryshme.

Kontratat qeveritare, në përgjithësi, të krijojnë informacione interesante lidhur me atë se çfarë bën qeveria në të gjithë botën. Kur unë bëja kontrata qeveritare, kam parë një kontratë për shërbime sigurie për një bazë ushtarake në Çad. Në lajme nuk ka asnjë informacion lidhur me Çadin, por unë e kam parë atë kontratë të çuditshme.

Dhe pyesja veten se çfarë po ndodhte atje. Dhe vetëm katër muaj më vonë, ushtria amerikane ndërmori një operacion të gjerë antiterror kundër grupeve të ndryshme islamike në atë rajon.  Kështu, kur shikon se çfarë përpiqet të blejë qeveria, në njëfarë mënyre bëhesh i vetëdijshëm rreth qëllimeve të qeverisë. Sot, me shpërthimin e luftës në Ukrainë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kuptuar se një pjesë e mirë e kapaciteteve tona industriale, nga të cilat varemi për luftra në shkallë të gjerë, nuk ekzistojnë më, sepse nuk menduam se do të përfshiheshim në një luftë tjetër. Kështu, për të furnizuar Ukrainën, për shkak të emergjencës Ukraina kishte aq shumë nevojë për furnizime të shpejta me armatime, SHBA-ja e furnizoi me armët nga arsenali ekzistues dhe pas kësaj nisën punën për të shtuar arsenalet e armatimit.

Shpresoj që tregtia e armëve zvogëlohet për t’u shndërruar në një segment gjithnjë e më të vogël të ekonomisë dhe në fund të zhduket plotësisht. Në një moment të caktuar, mendoj që njerëzimi padyshim mund t’i shpenzojë paratë në gjëra më produktive, se sa në mënyra për vrasjen e njëri-tjetrit. Fatkeqësisht, duket se konflikti nuk do të marrë fund së shpejti. Lufta në Ukrainë është shembulli më i mprehtë i kësaj dhe  mendoj se e ardhmja e konflikteve ushtarake, në një pjesë të madhe të tyre, do të zhvillohen nga dronët dhe sistemet automatike.

Janë një sërë ligjesh ndërkombëtare që synojnë të kufizojnë trafikimin e paligjshëm të armëve. Krimi i organizuar brenda SHBA-së dhe në botë mbahet në këmbë përmes tregtisë së paligjshme të armëve. Kartelet nuk do të ishin në gjendje të trafikonin drogë, ashtu siç bëjnë, nëse nuk do të kishin armë për ta mbështetur atë aktivitet. Problemi me marrëveshjet ndërkombëtare është se ato janë po aq të forta sa edhe mekanizmat zbatues, por nuk ekziston një agjenci e mirëfilltë e zbatimit të ligjit ndërkombëtar.

Njerëzit më pyesin nëse ndihem fajtor që kam siguruar furnizime me armë, që është një metodë që njerëzit të vrasin njëri-tjetrin. Do të thosha se në rastin e kontratës tonë në Afganistan, nuk ndihesha aspak fajtor, sepse furnizonim njerëz që luftonin kundër talebanëve. Mendoj se për popullin afgan do të ishte më  mirë pa talebanët në pushtet. Ka njerëz që mendojnë se çdo marrëveshje për tregti armësh është gjë e keqe. Unë nuk mendoj se kjo është e vërtetë. Një njeri mund ta përdorë armën për të vrarë dikë tjetër, por mund ta përdorë edhe për të mos lejuar që të vritet nga dikush tjetër. Dhe unë mendoj që njerëzit që sulmohen nga të tjerët e meritojnë të kenë një mundësi për t’u vetëmbrojtur.

Industria e mbrojtjes, si çdo industri tjetër, është biznes. A mendoj se është e gabuar të fitosh para nga shitja e armëve? Kjo varet se në duart e kujt shkojnë armët.

Në fillim të të njëzetave, u takova rastësisht me një mikun tim, i quajtur Efraim Diveroli. Ai kishte hyrë në biznesin e tregtisë së armëve përmes ungjit të tij, që zotëronte një dyqan të madh pengjesh në Los Anxhelos. Ishte rreth katër vjet më i ri se unë asokohe. Ishte në fakt vetëm 18 vjeç atëherë dhe kur u takuam, i tregova rreth biznesit me të cilin merresha. “E po” – më tha – “ aftësitë e tua mund të vlejnë edhe për biznesin tim, sepse më duhet të gjej një furnizues të huaj, të merrem me çështjet e transportit, të logjistikës, financimit etj. Përse  nuk vjen të punosh me mua, sepse mund t’iu përdor si ortak”? Më tregoi llogarinë bankare, ku kishte 1,8 milionë dollarë gjendje, pasi kishte punuar në atë biznes vetëm një vit. Mendova me vete se ai po fitonte shumë më tepër para se unë. Ka diçka që mund ta mësoj këtu.

“Pranoj” – i thashë. “Më mëso çfarë di”. Kjo është mënyra se si hyra në tregtinë e armëve.

Punonim 18 orë në ditë. Mënyra se funksionojnë kontratat qeveritare, kur SHBA-ja kërkon të blejë diçka, me përjashtim të “buxhetit të zi” të CIA-s, pjesës tjetër të qeverisë federale, ligjërisht i duhet të bëjë publike në faqen e tyre të internetit –që sot është sam.gov – se çfarë duan të blejnë. Pas kësaj, kushdo që kualifikohet për të dhënë një ofertë për ato kontrata, e dorëzon një të tillë. Ofertat e ndryshme analizohen dhe personi me pikët më të larta fiton kontratën dhe fiton mundësinë që të furnizojë me ato mallra apo shërbimeve dhe të marrë një fitim të caktuar. Teorikisht, supozohet që autoritetet hetojnë lidhur me historikun e kompanive ofertuese dhe të shikojnë nëse u janë anuluar kontrata të mëparshme dhe kjo i ul shanset që ajo kompani të fitojë kontrata të tjera.

Ka padyshim plot hapësira për përmirësime. Problemi me qeverinë federale është se janë shumë agjenci qeveritare dhe në të shumtën e rasteve ato nuk komunikojnë me njëra-tjetrën. Kështu mund të ketë kontraktorë që kanë vepruar në mënyrë të pandershme ose e kanë djallosur një kontratë me  një agjenci të caktuar, por pastaj një agjenci tjetër u jep një kontratë tjetër, për arsye se nuk ua kontrollojnë historikun me agjencitë e tjera. Nuk e kontrollojnë historikun e këtij kontraktori.  Çdo kontratë me vlerë më të vogël se 250 mijë dollarë konsiderohet kontratë e vogël. Kur fiton disa prej tyre, atëherë kualifikohesh për kontrata më të mëdha me vlerë disa miliona dollarëshe. Dhe pasi fiton disa prej këtyre të fundit, atëherë kualifikohesh për oferta për kontrata me vlerë disa qindra miliona dollarë.

Në harkun kohor të një viti e gjysmë, kaluam nga fitimi më pak se një milion në 300 milionë dollarë. Ndërsa isha në arrest shtëpie, më lindi idea për biznesin tim të parë, shpikjen time të parë.  Quhet “The Beat Buddy”. Kompania ime fillimisht prodhonte pedale kitarash elektrike për ritme muzikore. Më pas realizuam tetë produkte të tjerë dhe llojet e muzikës dhe ritmet e krijuar me to. Së bashku me vëllanë më lindi ndërkohë një ide tjetër për prodhimin e atyre që i kemi quajtur “instafloss” dhe që janë pajisje për pastrimin e dhëmbëve. Ndërkohë, biznesi im më i ri quhet “Akademia e Qenve të Luftës”, ku u mësoj njerëzve se si të realizojnë kontrata me qeverinë.

Që prej publikimit të filmit, qindra dhe mijëra njerëz më kanë kontaktuar për të më pyetur se si të bëjnë kontrata me qeverinë. Natyrisht mua më është ndaluar lidhja e kontratave me qeverinë prej rreth 15 vjetësh. Së fundmi më kanë hequr nga lista. Kemi krijuar një kurs të plotë për t’u mësuar njerëzve se si ta fillojnë një biznes, si ta regjistrojnë me qeverinë, si të fitojnë kontrata qeveritare, dhe si të ndërtojnë biznese të ligjshëm afatgjatë me kontrata qeveritare./  /sm/ /a.i/ /ps/ /ush/ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTransformimi digjital, Rama: Printim i parave e letrave me vlerë në vend, identifikim nga telefoni
Artikulli tjetërRama: Gjurmim i transaksioneve përmes inteligjencës artificiale, reduktojmë informalitetin