PARIS, 6 dhjetor /ATSH-AFP/- Presidenti Emmanuel Macron ka nisur sot bisedimet me liderët politikë të së majtës dhe të së djathtës, ndërsa kërkon të emërojë një kryeministër të ri dhe të gjejë një rrugëdalje nga kriza politike e Francës.
Macron iu drejtua dje në mbrëmje kombit – 24 orë pasi qeveria e kryeministrit Michel Barnier u rrëzua në një votim historik mosbesimi.
Presidenti francez u zotua të emërojë një kryeministër të ri në ditët e ardhshme – ndërsa hodhi poshtë presionin në rritje nga opozita për të dhënë dorëheqjen – dhe fajësoi “frontin anti-republikan” të së majtës dhe ekstremit të djathtë për problemet e Francës.
Barnier, kryeministri bashkëkohor me mandatin më të shkurtër në historinë e Francës, dha dorëheqjen pas disfatës parlamentare të së mërkurës – mes një ngerçi mbi buxhetin që detyroi qeverinë e tij të jepte dorëheqjen – rrëzimi i parë i tillë i një administrate franceze në më shumë se 60 vjet.
“Do të emëroj një kryeministër në ditët në vijim”, tha Macron, duke shtuar se do të formohej një “qeveri e interesit të përgjithshëm” për të miratuar buxhetin.
Barnier – i cili ishte kryeministër vetëm për tre muaj — dhe ministrat e tij do të qëndrojnë në krye derisa të emërohet një qeveri e re.
“Macron do të takohet sot me krerët e fraksioneve parlamentare të forcave të tij centriste, Partisë Socialiste dhe republikanëve të krahut të djathtë – për të vazhduar kërkimin për një kompromis”, thanë burimet presidenciale.
Përpjekja për të kufizuar kaosin politik është e rëndësishme për Macron – duke pasur parasysh se ai do të presë nesër liderët botërorë – përfshirë presidentin e sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Trump – për rihapjen e katedrales “Notre Dame” në Paris – pas një zjarri shkatërrues që e përfshiu atë në vitin 2019. //a.i/























