Ballina Aktualitet

Rama: Rrjetet sociale krijojnë efekt varësie, mbyllja e TikTok nuk është zgjidhja

TIRANË, 5 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ishin sot në shkollën “Halit Coka”, në Kamzë për të vijuar takimet këshilluese me prindërit dhe mësuesit për kufizimin e rrjeteve si TikTok.

Në fjalën e tij, Rama, rrjetet sociale e në veçanti TikTokun e cilësoi “shokun e ri” të fëmijëve, që sipas tij i tërheq më shumë dhe i shtyn drejt gjërave të gabuara.

“Natyrisht që sot ne ballafaqohemi me një problem që është ende i ri për shoqërinë, jo vetëm shqiptare, por për shoqërinë njerëzore. Sot fëmijët tanë, ata më të vegjlit, nuk janë vetëm me ne, me mësuesit dhe me shokët. Sot ata kanë edhe një “shok” tjetër, që për fat të keq e preferojnë më shumë se ne, e preferojnë më shumë se sa ç’preferojnë mësuesit, e preferojnë më shumë se ç’preferojnë edhe shokët e tyre, dhe preferojnë shumë më shumë se sa librat, – që është “shoku” që iu del kur futen në telefon nëpër rrjetet sociale. Posaçërisht në TikTok, po jo vetëm në TikTok, ata kanë një shok që ju thotë ekzaktësisht të kundërtën e të gjitha gjërave që mund t’i themi ne në shtëpi, mund t’i thotë mësuesi në klasë apo që mund të lidhen me detyrime të tyre, që nga detyrimi për të ulur dhe për të lexuar libra ose për të shkruar me dorë”, tha Rama.

“Iu thotë komplet të kundërtën dhe ua bën shumë të lehtë dhe ju dhe të gjithë ata që kanë fëmijë në shtëpi e dinë shumë mirë se çfarë lloj lufte është për t’ia marrë nga dora ose për mos ia dhënë në dorë dhe nga ana tjetër, e dimë shumë mirë të gjithë që për 1001 arsye, ne të gjithë bëhemi palë në gabim, kur për të pasur një moment ose më shumë se një moment qetësie, ia lëmë në dorë “shokun” edhe aty ata bëhen sikur s’janë fare aty, as nuk i dëgjohet zëri, as nuk dëgjojnë zërin”, theksoi Rama.

Kryeministri u shpreh se, “ky është një fakt me të cilin përballen gjitha shoqëritë sot dhe është fakt që në të gjitha shtetet demokratike ka filluar një debat dhe ka filluar të përshkallëzohet një shqetësim shumë i madh që çfarë po ndodh dhe si mund të frenohet ajo që po ndodh, jashtë komplet kontrollit, dëshirës, vullnetit apo pritshmërive të shkollës, të prindërve, të shoqërisë, në raport me fëmijët tanë”.

Kryeministri theksoi se, algoritmi i TikTok në vendet perëndimore është i ndryshëm nga Kina.

“Nëse flasim për TikTok-un, problemi është që TikToku në vendet tona bazohet në një algoritëm që stimulon të gjitha ato gjëra që nuk duhen stimuluar. Ndërsa TikToku, për shembull në Kinë, që është edhe vendi i lindjes dhe i origjinës së Tik Tokut, është komplet tjetër. Aty fëmijëve në ekran, iu dalin vetëm gjëra të bukura, po dhe të gjithëve, jo si lexohet, jo si zgjidhen ushtrimet, jo si dilet bashkë me shokët, jo si këndohet, ndërkohë që në të botën tonë është komplet tjetër. Prandaj edhe ka lindur një debat i madh botërisht në shumë vende dhe po zgjerohet që këto rrjete duhet marrë në kontroll, të paktën për pjesën e atyre që janë deri në moshën 16 vjeç”, tha Rama.

“Janë marrë disa masa në aspektin administrativ, në aspektin ligjor, por nuk ka akoma mekanizma teknologjik për të vendosur filtra dhe për të ndarë kush është fëmija, kush është i rrituri, kush mund ta përdori, kush s’mund ta përdori, sepse dihet që rrjetet sociale pranojnë anonimitetin dhe në momentin kur pranohet anonimiteti, asgjë më nuk është e qartë”, u shpreh Rama.

“Ne jemi duke i studiuar të gjitha aspektet dhe jemi në këtë bashkëbisedim, sepse jemi të prirur të besojmë që bllokimi i plotë i TikTok-ut, edhe për një sërë arsyesh tjera, që lidhen me faktin e gjuhës shqipe, që lidhen me faktin e pamundësisë për të pasur të njëjtat kritere dhe standarde si vende të tjera do të ishte një rrugë, qoftë edhe për një periudhë, për të parë se çfarë do të bëjnë të tjerët, si të tjerët do të gjejnë mekanizma të tjerë dhe faktikisht për ta hequr “një shok” shumë të keq nga duart e fëmijëve dhe për të pasur pak më shumë kontroll mbi atë momentin kur ata shkojnë nëpër ato labirinthe”, shtoi më tej kreu i qeverisë.

“Ajo që duhet kuptuar nga të gjithë është që ne, që këto rrjete janë të ndërtuara tamam si gropa thithëse dhe çdokujt i çojnë më shumë, në bazë të gjërave që çdokush klikon dhe sheh aty dhe në një farë mënyre kanë të njëjtin efekt, siç kanë drogat që i bëjnë njerëzit të varur nga ekrani, sepse ju japin më shumë ushqim në varësi të oreksit të tyre. E natyrisht që kur vjen puna tek më të rinjtë edhe tek fëmijët, gjërat e ndaluara ose gjërat që atyre ju thuhet në shtëpi, ju thuhet në shkollë: “Kjo nuk është e mirë, kështu nuk bëhet. Këtu nuk duhet”, tërheqin më shumë, tërheqin më shumë edhe mbi bazën e kësaj tërheqje më shumë, krijohet pastaj gjithë ai konfuzion në kokën e tyre midis jetës reale edhe gjithë stresit që krijohet nga kërkesat e prindërve, të familjes, të shkollës dhe jetës virtuale që është pa stres në dukje, por që ka efekte të studiuara dhe të publikuara deri mbi shëndetin mendor të fëmijëve”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se, “një nga arsyet kryesore që shumë vende të mëdha po luftojnë, po përpiqen ta luftojnë këtë fenomen është pikërisht shëndeti mendor i fëmijëve, krijimi i një situate skizofrenike midis realitetit dhe botës virtuale dhe pastaj fillimi i një sjelljeje që përpiqet ta sjellë botën virtuale në botën reale, duke krijuar deri dhe akte të rënda kriminale, sikur faktikisht zgjat aventurën e ekranit në jetën reale dhe bëhet personazh që arrin deri dhe të vrasësh edhe mos kuptosh se çfarë ke bërë”.

Megjithatë, shtoi Rama, “është pak, por e sigurt që në fund të ditës, edhe bllokimi i TikTokut është një ndihmë, por nuk është zgjidhje. Dhe nuk ka asnjë zgjidhje nëse nuk ka më shumë përfshirje të drejtpërdrejtë të familjes, të shkollës dhe të të dyjave bashkë pastaj, prindërit, mësuesit dhe natyrisht, edhe institucioneve të tjera, në funksion të rritjes, të zgjerimit dhe forcimit të parametrit të sigurisë”.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAktivizmi kundër dhunës me bazë gjinore, Van Horn vizitë në qendrën psikosociale “Vatra”
Artikulli tjetërVlerësimi ndërkombëtar TIMSS 2023, Rama: Rezultate inkurajuese për cilësinë e arsimit parauniversitar