TIRANË, 4 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Komisionit të Posaçëm, Erion Braçe në një deklaratë për mediet tha se ngjarja me vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani në afërsi të shkollës “Fan Noli” në Tiranë, është një model tipi dezinformimi, që sipas tij po vazhdon ende.
Deputeti socialist tha se për qëllime politike janë atakuar qëllimisht SPAK e BKH. Për gazetarët, Braçe tha se komisioni ka kërkuar edhe hetimin e këtij aspekti, të dezinformimit.
“Problem shumë i madh mbetet dezinformomi i brendshëm, i fshehur gjithmonë nga brenda entiteteve që janë të paidentifikuara, nuk janë formale dhe nuk mbajnë përgjegjësi për atë që bëjnë. Ngjarja në Tiranë pranë një shkolle ka sjellë në vëmendje këtë gjë. Prokuroria po bën çfarë është e mundur për t’i shkuar në fund krimit për të mbajtur përgjegjës autorët. Nisur nga informacionet që u ndanë me komisionin i kemi kërkuar prokurorisë të hetojë deri në fund një rast model dezinformimi që i është bashkëngjitur atij krimi të përbindshëm ndodhur në mes të Tiranës. Një rast shumë i qartë dezinformimi me synim shumë të qartë politik që vazhdon. Është një ngjarje e përsëritur njësoj si me një ngjarje të ndodhur në Pogradec. Komisioni ka kërkuar edhe hetimin e këtij aspekti të dezinformimit. Dezinformimi ka qenë shumë i qartë në raport me SPAK, BKH dhe me atakun e drejtpërdrejtë apo përfshirjen në ngjarje të këtyre institucioneve”, tha Braçe.
Braçe tha po ashtu se duhet të formalizohet tregu mediatik në vend.
“Ka krijuar një problem shumë të madh informaliteti veçanërisht në adresa të përdorura në rrjete sociale, por edhe në internet. Adresa individësh që funksionojnë si ofrues të shërbimit mediatik, apo të lajmeve konkretisht apo mungesë të identifikimit të drejtuesve që janë vërtetë media, që janë portalet. Shumë e vështirë për të gjitha institucionet për të identifikuar se kush është pas këtyre portaleve. Kemi evidentuar gjerësisht se nuk ka një instrument që të adresojë problematikën e këtyre portaleve. Nuk ka një instrument të tillë që të merret me portalet që janë në orgjinë ruse dhe që janë në gjuhën shqipe”, tha Braçe.
Braçe tha se nëse boshllëku ligjor për reagimin ndaj dezinformimit nuk përmbushet para zgjedhjeve, do ketë probleme sidomos në aspektin e financimit të fushatave të partive politike.
“Nëse ky boshllëk nuk përmbushet para zgjedhjeve do ketë probleme në financimin fushatave, por edhe sa i takon dezinformimit. Mjafton t’iu sjell rastin e Rumanisë”, tha Braçe. /j.p/























