Ballina Bota

METEO – Kina raporton vjeshtën më të ngrohtë që nga fillimi i regjistrimeve

PEKIN, 4 dhjetor /ATSH-AFP/- Kina raportoi vjeshtën e saj më të ngrohtë këtë vit që nga fillimi i regjistrimeve disa dekada më parë, njoftoi sot Qendra e saj Kombëtare e Klimës.

Kina është emetuesi kryesor i gazeve serrë – te cilat sipas shkencëtarëve po nxisin ndryshimet klimatike globale – duke i bërë më të shpeshta ngjarjet ekstreme të motit.

“Gjatë sezonit të vjeshtës të këtij viti – 1 shtator deri më 30 nëntor – temperatura mesatare kombëtare ishte 11,8 gradë Celsius, 1,5 gradë më e lartë se mesatarja e vitit, më e larta që nga viti 1961”, njoftoi qendra në llogarinë e saj në rrjetet sociale.

Vendi ka regjistruar gushtin më të nxehtë këtë vit, pas një vere me kushte ekstreme të motit, nga reshjet e rrëmbyeshme deri te valët e të nxehtit.

Ngrohja globale mund ta bëjë një mot të tillë më të shpeshtë jo vetëm nëpërmjet temperaturave të larta, por edhe efektit të nxehtësisë shtesë në atmosferë dhe dete.

Në Kinë këtë vjeshtë, shumica e rajoneve përjetuan temperatura 1-2 gradë Celsius mbi mesataren, ndërsa pjesët e Kinës qendrore, lindore, jugperëndimore dhe veriperëndimore përjetuan temperatura mesatare që ishin 2-4 gradë Celsius më të larta – gjatë periudhës në krahasim me vitet e mëparshme.

Gjashtëmbëdhjetë provinca dhe rajone, duke përfshirë Liaoning, Tianjin dhe Chongqing, shënuan temperaturat mesatare më të larta të vjeshtës që nga viti 1961. //a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKurti takon O’Brienin, bisedojnë për sulmin në Ibër-Lepenc
Artikulli tjetërProjektligji “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, Karameta: Përafrim me legjislacionin e BE-së