Ballina Flash

Ministria e Shëndetësisë së Kosovës: Uji i kanalit Ibër-Lepenc, i papërshtatshëm për t’u pirë

PRISHTINË, 30 nëntor /ATSH/ Ministria e Shëndetësisë e Kosovës njoftoi sot se uji që kalon nëpër kanalin e Ibër-Lepencit nuk është për momentin i pastër për t’u pirë.

Në një komunikatë të shpërnadarë për mediet, MSHK bën me dije se pas shpërthimit në kanalin e Iber-Lepencit në komunën e Zubin Potokut, IKSHPK, respektivisht Qendra Rajonale e Shëndetësisë Publike në Mitrovicë, në bashkëpunim me Kompaninë Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica” kanë marrë mostrat e ujit të patrajtuar për të kryer analizat e nevojshme.

“Sipas analizave të para, të kryera në ujin e patrajtuar, uji që kalon nëpër kanalin e Ibër-Lepencit nuk është për momentin i pastër për pije, ndërkohë që përveç analizave mikrobiologjike dhe atyre bakteriologjike, IKSHPK/QRSHP Mitrovicë, do të analizojë edhe paramatra të tjerë që kanë të bëjnë me praninë e metaleve në ujë”, thuhet në komunikatë.

Ministria e Shëndetësisë informon se IKSHPK është në bashkëpunim të ngushtë me Kompaninë Rajonale Ujësjellësi në Mitrovicë dhe KRU “Prishtina”, do të monitorojnë ujin nga Kanali i Ibër Lepencit dhe do t’i kryejnë të gjitha analizat e nevojshme për t’u siguruar që uji, para se të lejohet për pije, t’i përmbushë parametrat e lejuar.

Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK sigurojnë qytetarët që janë duke u ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme që uji që përdoret në zonat e prekura nga pasojat e shpërthimit t’i përmbushë standardet e lejuara.

“Ju lutemi që t’i merrni informatat nga njoftimet zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKSHPK-së!”, thuhet në komunikatën për mediet të shpërndarë nga MSHK.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakUNMIK-u dënon sulmin terrorist në Zubin Potok
Artikulli tjetërReshjet e dëborës, Policia e Shtetit apel drejtuesve të mjeteve