Ballina Aktualitet

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, qytetarët sërish në protestë

TIRANË, 27 nëntor/ATSH/ Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur jashtë ambienteve të shkollës “Fan Noli” në Tiranë, ku u vra 14-vjeçari Martin Cani nga një bashkëmoshatar i tij, qytetarët dolën sot në protestën e tretë.

Prindër, të rinj, përfaqësues nga shoqëria civile u mblodhën te shkolla “Fan Noli” nga ku  marshuan në drejtim të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

“Martini nuk i përket vetëm familjes Cani, por është i yni dhe i gjithë shqiptarëve të ndershëm. Është hera e tretë që vij në këtë protestë për atë engjëll që e njoha nga ekrani dhe do vij deri në fund. Dy propozimet që kam, do doja të kishim përkrahjen e të gjithëve.

Që sot e tutje emri i shkollës të zëvendësohet dhe shkolla të quhet “Martin Cani”. Dhe vetë Fan Noli të ishte gjallë do e pranonte. Në oborrin e shkollës të vendosim shtatoren prej bronzi të Martinit, për të përjetësuar Martinin”, tha një prej prindërve të pranishëm në protestë.

Protestuesit me pankartën “Institucionet e papërgjegjshme vrasin” në duar, kërkojnë dorëheqjen e ministres Manastirliu dhe plotësimin e kushteve për rritjen e sigurisë në shkolla.

“Jam prind i tre fëmijëve, të tre te ‘Fan Noli’. Jemi shumë të shqetësuar nga ngjarja e fundit. Kërkojmë më tepër siguri në shkolla dhe rritje të numrit të psikologëve. Bullizmi dhe armët e ftohta në shkolla duhet të marrin fund njëherë e mirë. Duhet një ndërgjegjësim dhe një edukim më i mirë. Nuk mjafton të marrë dhjeta dhe të jetë ekselent. Ne nuk do ta lëmë deri sa kjo çështje të ketë një zgjidhje, qoftë për hetimin e çështjes, qoftë për rritjen e sigurisë në shkolla”, tha një prind.

Një tjetër prind tha se “kërkojmë siguri për fëmijët tanë në shkolla”.

Kërkesat e shoqërisë civile janë:

– Plotësimi e 100% të shkollave me psikologë, një psikolog për 200 nxënës.

– Qëndrimi i nxënësve në hapësirat e shkollës deri në orën 16:00 duke iu afruar programe ushqimi dhe mundësie të bërjes së detyrave në shkollë.

– Zbatimi i rregullave për heqjen e telefonave në orarin e mësimit duke sanksionuar ata që nuk zbatojnë rregullat.

– Monitorimin e rreptë të platformave audiovizuale e digjitale, nga autoritetet që dukshëm shërbejnë vetëm për marrjen e rrogës, AMA, AKEP.

– Për të siguruar bllokimin e përmbajtjen jo etike të dhunshme si në hapësirën digjitale e publike.

– Caktimi në çdo shkollë i një oficeri sigurie duke rishikuar detyrat dhe rolin e tyre.

– Krijimi i një sistemi raportimi efektiv të rasteve ku ndërlidhen institucionet përgjegjëse e komuniteti i prindërve.

 

/k.s/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakLirimi i Berishës, Bardhi: Fitore politike e kreut të PD
Artikulli tjetërMJEDIS – Pse në qytete po shtohen reshjet e shiut?