Ballina Flash

“Nisma për pyjet e veriut”, restaurim i peizazheve pyjore me përfitime në komunitet

TIRANË, 26 nëntor/ATSH/ Pyjet janë mushkëria e planetit. Pyjet janë po aq të bukur sa janë të dobishëm. Kushdo që ecën në një pyll e ndjen frymëmarrjen e tij që prodhon oksigjen.

Por, ashtu si edhe në nivel global, edhe në Shqipëri, sipërfaqet pyjore kanë njohur degradim përgjatë viteve të fundit. Sipas Global Forest Watch, Shqipëria ka humbur 6.5 % të mbulesës së saj pyjore përgjatë 20 viteve të fundit. Degradimi i pyjeve vendos në rrezik mes të tjerash edhe biodiversitetin sikundër edhe specie e rrezikuara në mënyrë kritike siç është rrëqebulli i Ballkanit.

Restaurimi i peizazheve pyjore është në fokus të projektit dyvjeçar “Nisma për pyjet e veriut” në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, në kuadër të të cilit u mblodhën në një trajnim në Tiranë specialistë të pyjeve, inxhinierë, mjedisorë, punonjës të AKZM në disa bashki e aktorë të tjerë të kësaj fushe.

Projekti mbështetet financiarisht nga Fondacioni suedez Postcode dhe zbatohet nga Zyra rajonale e IUCN për Evropën Juglindore dhe Azinë Qendrore në bashkëpunim me 2 partnerë lokalë që janë Shoqata Ekologjike e Maqedonisë në Maqedoninë e Veriut dhe Organizata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri, PPNEA.

Kjo nismë synon të kontrbuojë në parandalimin e humbjeve të mëtejshme të pyjeve me aksione restauruese të peizazheve pyjore në dy zona: në Bukovik në Maqedoninë e Veriut dhe në Pashtrik-Morinë në Has. Zonat janë pikasur duke përdorur metodologjinë e vlerësimit të mundësive të restaurimit (ROAM).

Siç shpjegoi për ATSH-në Fabien Tachene, menaxher programi për Zgjidhjet e bazuara në Natyrë (NbS) pranë IUCN, Shqipëria u përzgjodh në këtë projekt që ka shtrirje në Ballkanin Perëndimor për shkak të situatës së shpyllëzimeve dhe degradimit të pyjeve në 20 vitet e fundit.

Projekti është dyvjeçar dhe Tachene pret që në përfundim rezultatet të jenë disa.

“Mendoj se një nga rezultatet më të rëndësishme është që të dyja vendet do të kenë pyje të restauruara me përfitime të mëdha për biodiversitetin, për ndërlidhjen mjedisore sidomos në zona të caktuara si dhe përfitime konkrete sociale dhe ekonomike për komunitetet lokale. Njëkohësisht projekti ofron promovim dhe ndërgjegjësim për rëndësinë e pyjeve”, u shpreh ai.

Përfitim tjetër nga projekti është ndarja e njohurive dhe përvojave në restaurimin e peizazheve pyjore, sikurse dhe rritja e ndërgjegjësimit publik për rëndësinë e mbrojtjes së pyjeve.

Drejtori i PPNEA, Aleksandër Trajçe u shpreh për ATSH-në se restaurimi i pyjeve, përtej vlerave që sjell në natyrë dhe biodiversitet, sjell të mira thelbësore dhe për komunitetet lokale dhe popullsinë që jeton pranë vendeve të restaurimit.

“Pyjet na ofrojnë shërbime ekosistemi tejet të vlefshme për jetën e njerëzve me një mori të mirash materiale dhe rekreative. Një territor i restauruar me pyje ndihmon në kontrollin e erozionit, mbrojtjen nga përmbytjet dhe rrëshqitjet, rregullimin e klimës lokale, përmirësimin e peizazhit, rritjen e potencialit për eko-turizëm, si edhe ndihmon në përmirësimin e qendrueshëm të blegtorisë, bletarisë dhe bimëve medicinale-aromatike, ndër shumë benefite të tjera”, theksoi ai.

Viti 2024 u shpall Viti Kombëtar i Pyjeve dhe specialistët e mjedisit e cilësuan nismën si më të mirën e këtyre viteve, por të pamjaftueshme. Me 120 ha mbjellje të reja pyjesh, kjo nuk mbulon dëmtimet e mëdha në vite nga prerjet dhe zjarret.

Një nga pasojat më të dukshme nga shpyllëzimi dhe degradimi i pyjeve është shtimi i erozionit që çdo vit humbet 2.3 mm tokë, për të cilat natyra ka punuar 100 vjet.

Po ashtu, rreziqe të tjera janë shtimi i përmbytjeve dhe ndikimi tek ndryshimet klimatike, nga të cilat vendi ynë është më i rrezikuar për shkak të klimës mesdhetare.
Specialistët kërkuan rritjen e investimeve për pyjet dhe centralizimin e kujdesit për to.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTEL AVIV – Izraeli: Nuk do të tolerohen shkeljet e armëpushimit
Artikulli tjetërMF: 589 miliardë lekë në buxhet gjatë 10-mujorit