TIRANË, 21 nëntor /ATSH/ Në Javën Ndërkombëtare të Sipërmarrjes 2024, që po zhvillohet në Tiranë, organizuar nga Ministria e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit dhe Agjencisë Shtetërore të Start Upe-ve, Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë Luljeta Minxhozi, njoftoi se Shqipëria është bërë pjesë e sistemit të pagesave SEPA.
Në takimin ku ishin të pranishëm ministria e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit Delina Ibrahimaj dhe përfaqësues të Bankës Botërore u diskutua për përfitimet e integrimit në SEPA.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Sipërmarrjes dhe Klimës e Biznesit, gjatë takimit palët diskutuan rëndësinë e pagesave elektronike dhe edukimit financiar për individët dhe bizneset.
Në diskutim po ashtu morën pjesë dhe përfaqësues të Bankave Fintech dhe të kompanive të Teknologjisë së Informacionit.
Nën kujdesin e Ministres Ibrahimaj, Shqipëria ka nisur një hap të rëndësishëm drejt dixhitalizimit me Programin Pilot të Pagesave të Shpejta, i cili po zbatohet në Tiranë, Dibër dhe Përmet.
Anëtarësimi i Shqipërisë në zonën gjeografike SEPA përbën një prioritet kombëtar, pasi shënon një moment historik të rëndësishëm në rrugëtimin e vendit drejt integrimit evropian.
“Përfshirja e Shqipërisë në të do të ndikojë zhvillimin financiar dhe ekonomik të vendit, duke kontribuuar në integrimin e mëtejshëm të saj me tregun e BE-së. Kështu, vendi ynë do të fitojë akses në një treg më të gjerë evropian, duke lehtësuar transaksionet ndërkufitare dhe duke rritur tregtinë dhe investimet”, tha Minxhozi.
Më datë 12 qershor 2024, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko firmosi aplikimin e Shqipërisë për anëtarësimin në zonën gjeografike të skemave SEPA, duke u bërë, kështu, vendi i parë në rajon, i cili dërgoi aplikimin formal për t’u pranuar në këtë zonë.
/a.f/























