Ballina Ekonomi

Këshilli Evropian i Pagesave shqyrton aplikimin e Shqipërisë në SEPA

TIRANË, 16 nëntor /ATSH/ Anëtarësimi i Shqipërisë në zonën gjeografike SEPA përbën një prioritet kombëtar, pasi shënon një moment historik të rëndësishëm në rrugëtimin e vendit drejt integrimit evropian.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi se, “Shqipëria është vendi i parë në rajon, i cili dërgoi aplikimin formal për t’u pranuar në këtë zonë. Aktualisht, ky aplikim po shqyrtohet nga Këshilli Evropian i Pagesave, si administrator i skemave SEPA, si dhe nga Komisioni Evropian”.

Sejko mori pjesë në konferencën e nivelit të lartë me temë “Kapërcimi i kufijve, ndërtimi i së ardhmes: Integrimi në SEPA rrit përfshirjen financiare duke mundësuar rritje ekonomike të qëndrueshme”, të organizuar nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës me rastin e 25-vjetorit të themelimit të saj.

Në këtë konferencë morën pjesë guvernatorë të bankave qendrore e drejtues të lartë të autoriteteve mbikëqyrëse të rajonit, si edhe përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare.

Konferenca e organizuar në qytetin e Prishtinës, u hap nga guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili, si dhe u përshëndet nga presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe drejtorja e përgjithshme e FMN-së, Kristalina Georgieva.

Punimet e konferencës u përqendruan kryesisht në: integrimin në SEPA; transformimin digjital dhe implikimet për shërbimet financiare; rritjen e stabilitetit financiar në një ambient në ndryshim; ndërmjetësimin financiar në sektorin bankar rajonal.

Sesioni i tretë i konferencës, ku guvernatori Sejko ishte i ftuar të merrte pjesë si folës, u fokusua në trajtimin e temës “Roli i ndërmjetësimit financiar në sektorin bankar të Ballkanit Perëndimor dhe ndikimin e tij në zhvillimin ekonomik rajonal”. Paneli diskutoi lidhur me modernizimin e sistemeve të pagesave të nxitur nga prania e bankave të huaja dhe zgjerimi i adoptimit të bankingut digjital, vendimtar për nxitjen e përfshirjes financiare.

Guvernatori Sejko ndau me të pranishmit këndvështrimin e Bankës së Shqipërisë lidhur me temën, duke theksuar se sigurimi i një sistemi pagesash të sigurt dhe efikas është në fokus të Bankës së Shqipërisë.

Guvernatori shtoi se sistemet e pagesave janë shtylla kurrizore e tregut financiar dhe ekonomisë në tërësi, kështu që siguria dhe efikasiteti i tyre janë vendimtare për rritjen e ndërmjetësimit financiar.

Diskutimi i Guvernatorit vazhdoi me lehtësimin e ndjeshëm që digjitalizimi ka sjellë në fushën e sistemeve të pagesave, si dhe në rolin e bankës qendrore. Duke iu referuar rastit të Shqipërisë, ai u shpreh se Banka e Shqipërisë, që prej vitit 2018, ka intensifikuar përpjekjet për rritjen e përfshirjes financiare dhe përdorimit të pagesave elektronike, nëpërmjet Strategjisë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël (2018-2023) dhe që prej vitit 2021, me Projektin e Modernizimit të Sistemit të Pagesave të Ballkanit Perëndimor.

“Në kuadër të kësaj strategjie, Banka e Shqipërisë ka harmonizuar legjislacionin e saj me atë evropian për pagesat nëpërmjet transpozimit të Direktivës për Shërbimet e Pagesave (PSD2) dhe Direktivës për Pagesat elektronike, të cilat janë njëherazi thelbësore për suksesin e SEPA-s. Rezultatet nga tregu, në lidhje me inovacionin dhe konkurrencën që promovon ky ligj, janë inkurajuese si për formalizimin në ekonominë shqiptare, ashtu edhe ndërmjetësimin financiar”, tha Sejko. /j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPrezantohen drejtorët e rinj në Tiranë dhe Durrës, Hoxha: Polici efektive në luftën ndaj krimit dhe e afërt me komunitetin
Artikulli tjetërGonxhja: Praktikat më të mira evropiane në blerjet e përqendruara