TIRANË, 16 nëntor/ATSH/ Shqipëria pret këtë mbrëmje në 20:45 Çekinë në “Arenën Kombëtare”, sfidë e vlefshme për Grupin B1 të Ligës së Kombeve.
Ndërsa skuadra me në krye trajnerin Sylvinho është gati për takimin e parë të nëntorit ndaj Çekisë, tifogrupi “Tifozët kuqezi” nga ana tjetër kanë krijuar një atmosferë elektrizuese përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke “ndezur” rrugët me flakadanë e këngë.
Tekniku Sylvinho ka vendosur të përdorë të njëjtin formacion me atë të fitores në Gjeorgji, ku në portë sërish vendoset Strakosha, ndërsa në krahët e mbrojtjes janë Balliu e Mitaj, me qendrën që mbulohet nga Ajeti e Ismajli, kjo për shkak të mungesës së Berat Gjimshitit.
Para mbrojtjes vendosen Kristjan Asllani e Ylber Ramadani, ndërsa Asani, Bajrami e Laçi vendosen pas “bomberit” të vetëm, Indrit Tuci.
Në krahun tjetër, tekniku Ivan Hasek u ka besuar sërish “yjeve” të tij, teksa ka hedhur në fushë lojtarë me shumë kualitet, si Chory, Cerny, Provod, Soucek e Coufal.
Policia e Shtetit ka hartuar plane të posaçme dhe të detajuara masash, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes ndërkombëtare të futbollit, në stadiumin “Air Albania”, Tiranë.
/r.e/























