TIRANË, 13 nëntor/ATSH/ Komisionit Hetimor për Sterilizimin dhe Check Up në shëndetësi ka vijuar sot punimet, ndërsa nuk kanë munguar debatet mbi vijimin e punimeve.
Kryetarja e komisionit, deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi lexoi listën e dëshmitarëve që pritet të dëshmojnë në këtë komision, ndërkohë që për tri shtetasit italianë, për të cilët Policia ka kthyer përgjigje duke thënë se ata ndodhen jashtë shtetit.
“Policia na ka kthyer një përgjigje ku thuhet se këta persona janë jashtë territorit të Shqipërisë, por gjykoj që për sa kohë që secili prej personave Umbro Stalccini dhe Elisabetta Anzanello, përveçse janë përfitues të kompanisë koncesionare kanë kompani të tjera të bazuara në legjislacionit shqiptar dhe përderisa janë përfitues të drejtpërdrejtë janë të detyruar të paraqiten në komision. Nëse vijojnë të refuzojnë, opozita ka mendimin dhe propozimin që të dërgojmë një shkesë drejt autoriteteve italiane për t’i informuar dhe kërkuar ndihmën që këto shtetas të zbatojnë legjislacionin shqiptar”, tha ajo.
Deputeti i Partisë Socialiste, Alban Xhelili tha se mbrëmë i ka ardhur një mesazh, ku pretendohet se të gjitha fotot e publikuara dje gjatë punimeve të komisionit nuk janë nga strukturat hospitaliere siç u pretendua.
“Ju sfidoj, shkojmë bashkë në maternitetin “Koço Gliozheni” dhe aty do të shihni që punohet me të njëjtat mjete. Ju mbroni vjedhjen, që ka kosto shumë të lartë në jetën dhe shëndetin e qytetarëve. Përgjegjësi për këtë ka Rama, Nushi, Beqja dhe t’ju vijë turp sepse janë vjedhur 200 milionë euro”, tha Vokshi.
Plarent Ndreca, në cilësinë e zv/kryetarit të këtij komisioni tha se tentativa e Vokshit dhe opozitës është thjesht shtyrja e axhendës së tyre politike.
Deputeti i PS ka kritikuar punën e Komisionit Hetimor, duke e cilësuar atë një instrument politik të drejtuar nga qëllime propagandistike dhe jo për të siguruar transparencë ndaj publikut. Ndreca theksoi se komisioni ka dalë në përfundime të paracaktuara, duke lënë mënjanë objektivin kryesor të procesit hetimor.
“I gjithë komisioni hetimor është një agjendë politike. Në asnjë moment gjatë gjithë komisionit ju nuk jeni kujdesur të bëni transparencë, por vetëm propagandë. Ju keni dalë në konkluzione para se komisioni të mbarojë punën e tij”, tha Ndreca.
“I gjithë diskursi që ju sapo bëtë, ekspozon gjithë atë që ne kemi thënë nga fillimi i këtij komisioni hetimor. Ju paragjykoni dhe keni ardhur këtu për të shtyrë axhendën tuaj politike. Nëse paska konkluzion, ju paskeni ardhur kot, kur Prokuroria dhe Gjykata paskan folur, ndërkohë që ju tentoni të çoni përpara një axhendë politike të paracaktuar. Ne nuk jemi këtu për të mbrojtur askënd dhe asgjë, por për të ndërtuar një proces të rregullt kushtetues. Akuzat me baza partiake nuk mund të kenë vend në Kuvendin e Shqipërisë. Tentativa juaj për të bërë me turp deputetët këtu, është intimidim dhe tentativë për ta parë situatën sipas syve tuaj. Ligji, Kushtetuta, procesi i rregullt ligjor, ne jemi këtu për të ndërtuar pikërisht këtë proces”, pohoi Deputeti i PS Ndreca.
Vokshi tha se e gjithë kjo situatë bëhet për show.
“Dy ditë show, Ilir Beqaj ka dy ditë që shfaqet me pranga në duar, ndërkohë ju doni ta hidhni si limon të shtrydhur, vetëm që ta shtyni dhe të mos vijnë dëshmitë e Edi Ramës dhe Vilma Nushit. Nuk mbyllet ky komision pa dëshmitë e tyre”, tha Vokshi.
Debat pati edhes Kryetares së Komisionit, Albana Vokshi dhe Depuetit të PS, Petro Koçi.
“Je gati të flijohesh edhe biologjikisht për Sali Berishën”, u shpreh Koçi
“Aq shumë e kini frikë. Është denoncuesi më i madhe i korrupsionit në shëndetësi. Ju thoni mos përgojoni Vilma Nushin. Ju thoni mbroni Vilma Nushin”, u përgjigj Vokshi.
“Me Berishën jam gati të matem në çdo institucion të drejtësisë dhe çdo njeri të tij”, vijoi Koçi.
Pas debateve, me kërkesë të opozitës mbledhja u ndërpre për 30 minuta.
Vijon…























