Ballina Aktualitet

KLP: Dënojmë çdo presion dhe intimidim ndaj SPAK

TIRANË, 11 nëntor /ATSH/ Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka shprehur shqetësim lidhur me deklaratat dhe reagimet e fundit, që sipas KLP-së synojnë të ndikojnë ose frikësojnë prokurorinë, duke i cilësuar ato si kërcënime për integritetin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

Deklarata duket se vjen si reagim pas deklaratave të drejtuesve të opozitës ndaj SPAK.

KLP rithekson angazhimin e saj për të mbështetur prokurorët e vendit, të cilët përballen çdo ditë me sfida në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Më tej KLP i konsideron përpjekjet për të ndikuar ose frikësuar institucionet e drejtësisë si “sulme ndaj parimeve themelore të integritetit dhe drejtësisë,” thelbësore për zbatimin e ligjit në vend.

Duke përmendur kërkesat e Bashkimit Evropian për Shqipërinë, KLP nënvizon rëndësinë e reformës në drejtësi dhe i bën thirrje medias të mbështesë me objektivitet veprimtarinë e institucioneve të pavarura.

KLP po ashtu dënon çdo formë presioni ose intimidimi ndaj Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) dhe drejtuesve të tij.

“Reforma në drejtësi dhe zbatimi i ligjit janë kriteret kryesore që Bashkimi Evropian kërkon nga Shqipëria për krijimin e një drejtësie të pavarur. Ndaj KLP fton median që, me punën e tyre, të mbështesin veprimtarinë e institucioneve të pavarura në rrugëtimin e tyre institucional.

KLP dënon çdo formë presioni apo intimidimi të drejtuar ndaj SPAK apo drejtuesit të tij, duke i konsideruar kërcënime serioze për integritetin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri dhe qëndron me vendosmëri pranë të gjithë Strukturës së Posaçme, në përkrahje të punës së prokurorëve kundër çdo sulmi apo ndërhyrjeje denigruese”- thuhet në reagimin e KLP-së.

Në përfundim, KLP shpreh përkushtimin për t’u pozicionuar në krah të prokurorëve, duke garantuar një proces drejtësie të pavarur dhe transparent.

“Puna dhe integriteti i prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, janë thelbësore për ndërtimin e një sistemi që i shërben dhe mbron qytetarët e këtij vendi, pa frikë apo paragjykim. Misioni ynë i përbashkët është dhe mbetet forcimi i besimit të publikut ndaj një sistemi, i cili sapo ka dhënë frytet e para të zbatimit të reformës në drejtësi”- thuhet në njoftimin e KLP-së. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMbahet ceremonia në Varrezat e Ushtarakëve Francezë në Korçë
Artikulli tjetërBuxheti i ATSH për 2025, Zhupa: Në fokus lufta ndaj dezinformimit, prioritet digjitalizimi i arkivës