Ballina Aktualitet

Ilir Rrapaj dëshmon në Komisionin hetimor për shëndetësinë: S’kam njohje personale me Beqaj dhe Rrjepaj

TIRANË, 11 nëntor/ATSH/ Biznesmeni Ilir Rrapaj ka lënë qelinë sot, ku ndodhet në “arrest me burg” lidhur me hetimin që është kryer nga SPAK për koncesionin e sterilizimit dhe Check-Up.

Ai është paraqitur në Kuvend, pranë Komisionit të Posaçëm të sterilizimit dhe të Check-Up në shëndetësi, ku është thirrur për të dhënë dëshminë e tij. I pyetur nga kryetarja e këtij komisioni, Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, lidhur njohjet e tij me ish-zv/ministrin Klodian Rrjepaj apo ish-ministrin Ilir Beqaj, biznesmeni mohoi të ketë patur njohje personale me dy ish-zyrtarët.

“Në profesion unë jam sipërmarrës. Kam qenë nxënës i shkollës së mesme mjekësore “Jani Minga” në Vlorë dhe më pas kam qenë student i Mjekësisë në Tiranë. Emigrova më pas në Itali dhe atje jam munduar që t’i përqasem vazhdimit tim akademik. Falë iniciativës personale u mundova të mos i qëndroja larg këtij sektori, kam qenë pranë sektorëve që lidhen drejtpërdrejtë me shërbime në sektorin shëndetësor. Nuk jam diplomuar në mjekësi, e kam ndërprerë në vitin e katërt. Kam qenë i dyzuar, me dëshirën që t’i shëroja ca plagë dhe të vazhdoja pjesën akademike që e ndërpreva për disa arsye”, tha Rrapaj.

Sipërmarrësi u shpreh se e ka nisur aktivitetin e tij në biznes në fushën imobiliare dhe më pas në atë të ndërtimit.

“Kam pasur një aktivitet sipërmarrjeje biznesi në rajonin e Umbrias dhe më pas kalova në pjesën e shëndetësisë, pranë polit biomedikal në rajonin e Umbrias. Deri në vitin 2009, kam pasur aktivitet imobilar dhe shërbime ndërtimore. E kam nisur me një apo dy punonjës, për të kaluar deri në 30 punonjës. Ka pasur vite me 100 mijë euro xhiro vjetore, ka pasur vite edhe me një milionë apo dy milionë euro. Nëpërmjet formës së sipërmarrjes kam dashur të jem pranë mjekësisë dhe teknologjia biomedikale ka qenë angazhim i imi si përfaqësues ekskluziv i tyre për distribucionin në rajon dhe bëhet fjalë për një teknologji lider absolute”, tha ai.

Biznesmeni u pyet për njohjen e tij me shtetasit Klodian Rrjepaj dhe ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqja, por ai mohoi që të kishte një raport miqësie mes tij dhe dy personave në fjalë.

“Deri në gusht të vitit 2023, kisha dijeni se çfarë ishte dhe kush ishte, kam 15 muaj që ndaj të njëjtën rezidencë (burgun) dhe e njoh nga aty. Fjala mik, ka një përkufizim të veçantë në konturet e shqiptarizmit, të jesh mik është diçka e rrallë. Kam bindjen që ky term është më i abuzuari pas viteve 90’, asnjë lloj miqësie dhe njohjeje”, theksoi Rrapaj.

“Më etiketohet një njohje e thellë me Rrjepajn, ndërsa udhëtimi im i përbashkët me të ka qenë informativ dhe shkollor. Konfirmoj që nuk e kam njohur zotërinë as gjatë viteve të shkollimit, as pse vinim nga i njëjti qytet. Vinim nga vite të ndryshme shkollimi, ai është një vit më i madh se unë… E kam takuar thjesht pas 20 vjetësh dhe zyrtarisht në momentin e një aktiviteti të organizuar nga qeveria shqiptare, te Pallati i Kongreseve në vitin 2013. Për koncesionin e sterilizimit jam vënë në dijeni nga një prej ortakëve, që kishin tentuar të merrnin pjesë në këtë garë. Edhe shtetasin Ilir Beqja e njoh si personazh publik. Asnjë miqësi, as përpara, as më gjatë, as më vonë”, thekson Rrapaj.

“E kam takuar në të njëjtin aktivitet të thirrur nga qeveria shqiptare në Pallatin e Kongreseve, aty i kam takuar fizikisht, për të kuptuar se edhe kush janë. Sa i takon edhe kryeministrit Edi Rama, atë e njoh si shumica e shqiptarëve nëpërmjet aktivitetit politik. Jam takuar 2-3 herë të tjera në takime zyrtare si përfaqësues nga rajoni i Umbrias. Pra, unë kam qenë në rolin e ndihmësit për rajonin e Umbrias, rol që ma ka dhënë Konfindustria, rol ndihmues, jo ndërmjetës”, tha Rrapaj.

/e.i/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakUlliri: Ulje e shpenzimeve buxhetore për arsimin e lartë nga 2019-2025
Artikulli tjetërMziu: Bujqësia financohet 40 herë më pak ndaj kontributit që jep në PBB