Ballina Aktualitet

Manja: Do të mbyllim burgjet e trashëguara nga koha e komunizmit

TIRANË, 8 nëntor /ATSH/ Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, në Komisionin e Ligjeve tha se burgjet e trashëguara nga komunizmi do të mbyllen.

Manja tha se janë struktura të amortizuara dhe se kushtojnë në mirëmbajtje. Ministri bëri me dije se në perspektivë, do të mbyllet Tepelena, Burreli, edhe 302-shi tek “Mine Peza”.

“Kemi mbyllur institucione të vuajtjes së dënimit dhe do t’i vazhdojmë në perspektivë t’i mbyllim të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit që kemi trashëguar nga koha e komunizmit.

Në perspektivë, sepse kanë një masterplan burgjet, do të mbyllet Tepelena, do të mbyllet Burreli, do të mbyllet edhe 302 tek Mine Peza. Janë institucione të vuajtjes së dënimit të trashëguara nga koha e komunizmit. Janë struktura të amortizuara që neve na kushtojnë mirëmbajtje. Nuk po hapim institucione të reja. Kukësi zëvendëson atë të trashëguar nga sistemi që kishim, por e transformojmë në një institucion të ri modern, për t’i shërbyer zonës, sistemit, por edhe Kosovës”- tha Manja.

Duke u ndalur tek Instituti i të miturve, Manja tha se do të jetë modern.

“Sigurisht që do të hapet, kur të mbyllet institucioni i vuajtjes së dënimit për të miturit në Kavajë. Mbyllje e strukturave të vjetra dhe ofrimi i shërbimit në struktura të reja. Për punësimin në burgje, nuk kemi pasur probleme, kemi zbatuar kuadrin ligjor. Kemi bërë tentativa për t’i punësuar në sektorin privat, kërkesa kemi patur, por ende s’kemi bërë të mundur bashkëpunimin mes sistemit të burgjeve dhe atyre privat”- u shpreh Manja. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakHajdaraga takim me ministren greke: Marrëveshja për pensionet me Greqinë, e njëjtë si ajo me Italinë
Artikulli tjetërKumbaro: Në 2025-ën, platforma e statistikave e-Visitor mbi të dhënat e turizmit