Ballina Aktualitet

Francë, Vengu: Të angazhuar për inovacion dhe investime të huaja në fushën luftarako-detare

TIRANË, 4 nëntor /ATSH/ Në kuadër të një vizite zyrtare në Francë, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, mori pjesë në panairin Euronaval, i cili i kushtohet industrisë luftarako-detare.

Gjatë kësaj vizite, Vengu bën me dije nëpërmjet një postimi në Facebook, se pati kënaqësinë të zhvillojë një bisedë dhe të shkëmbejë mendime me gjeneralin Thierry Carlier, drejtor ekzekutiv i Drejtorisë së Përgjithshme të Armatimit në Ministrinë e Ushtrisë së Francës.

“Biseduam për projekte potenciale në kuadër të bashkëpunimit institucional dhe ushtarak, përfshirë rivitalizimin e industrisë ushtarake në Shqipëri dhe mundësinë e përfshirjes së kompanive franceze në rritjen e kapaciteteve të Forcave të Armatosura Shqiptare”, njofton ministri i Mbrojtjes.

Më tej ministri nënvizoi se “ndërsa dinamikat globale të sigurisë evoluojnë, teknologjitë e avancuara detare po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme”.

Si pjesë aktive e këtij zhvillimi, nënvizoi ministri Vengu, Shqipëria është e angazhuar për të inkurajuar inovacionin dhe investimet e huaja në fushën luftarako-detare.

/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakStrategjia ndërsektoriale kundër korrupsionit, Gonzato: Efektiviteti i saj, do të përcaktohet nga cilësia e zbatimit
Artikulli tjetërPartizani ngec me Teutën, Dinamo City mund 5-0 Elbasanin