Ballina Flash

Mihallaq Luarasi, kolosi i artit skenik shqiptar

TIRANË, 30 tetor/ATSH/ Më 30 tetor të vitit 2017 u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare, regjisori Mihallaq Luarasi.

Ai lindi më 16 shtator 1929 në Korçë. Shkollën e mesme e kreu në liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë, ndërsa studimet e larta në Akademinë e Arteve të Teatrit dhe Filmit në Budapest të Hungarisë.

Trinia e regjisorëve Mihallaq Luarasi-Kujtim Spahivogli-Pirro Mani e lartësoi artin skenik shqiptar për gjatë dy dekadave që lanë gjurmë (1957-1973).

Luarasi do të paraqitej si regjisor për herë të parë me tragjedinë e Shilerit “Intrigë dhe dashuri” në vitin 1957 në Teatrin Popullor, vepër e cila qëndroi në repertor shtatë vjet dhe u luajt mbi 300 herë. Ndërsa drama “Njollat e murrme” do të ishte shfaqja e fundit që regjisori Luarasi vuri në skenë përpara se të përjetonte një kalvar përndjekjesh nga regjimi komunist.

Mihallaq Luarasi është referencë e një prej momenteve më të rëndësishme në historinë e teatrit shqiptar, që lidhet me dënimin e tij në diktaturë, pasi zgjedhjet e tij të guximshme artistike i kushtuan 8 vjet liri. Pas “fshikullimeve” nxitur nga “Njollat e murrme”, regjia e Festivalit të 11-të të Këngës në RTSH, u bë shkak për dënimin me 8 vjet burg. Luarasi iu kthye aktivitetit artistik pas viteve ’90.

/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama me pensionistët në Durrës: 500 milionë euro nga buxheti për të mbuluar deficitin e skemës
Artikulli tjetërGJEORGJI – Zurabishvili: BE t’i bëjë presion ”Ëndrrës gjeorgjiane” për rishqyrtimin e rezultateve të zgjedhjeve të vjedhura