TIRANË, 30 tetor /ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta reagoi sërish nga burgu në lidhje me arrestimin e tij me urdhër të SPAK, që e akuzon për tre vepra penale.
Meta në një reagim të gjatë në rrjetet sociale ka analizuar mënyrën e arrestimit të tij, të cilin e cilëson si “rrëmbim politik”, e sipas tij nuk iu komunikua asnjë vendim gjyqësor dhe as nuk iu lexuan të drejtat që i takojnë sipas Kushtetutës.
Meta shkruan se asnjë provë nuk është publikuar nga policia nëse janë respektuar qartë procedurat ligjore, që janë përcaktuar në nenin 28 të Kushtetutës.
“Shkelja e të gjitha të drejtave, siç tregojnë provat dhe pamjet filmike dëshmojnë për një arrestim të paligjshëm e banditesk. Hetimi i plotë i kësaj çështje dhe respektimi i të drejtave kushtetuese janë thelbësore për ruajtjen e sundimit të ligjit dhe demokracisë në Shqipëri”- shkruan Meta.
Sipas Metës, i gjithë kuadri ligjor, që është shkelur haptas tregon se ekzekutimi i urdhrit të “Arrestit në burg”, që u krye nga forcat speciale të policisë, lëshuar nga SPAK, është i paligjshëm, denigrues, degradues dhe në kundërshtim flagrant me kërkesat e parashikuara nga kuadri ligjor shqiptar.
Meta shkruan me tej se tre prokurorët e SPAK-ut, Dumani, Kraja e Kllapi, e kanë mbështetur urdhrin e tyre për arrestimin e tij në një ligj të shfuqizuar 4 vite më parë.
Kryetari i Partisë së Lirisë është ndalur edhe tek marrja e masës “arrest me burg” nga GJKKO pas kërkesës së SPAK.
“Skandali tjetër është paligjshmëria e vendimit të Gjykatës, por “afërmendsh” ato vendosin gjithmonë siç kërkon SPAK, ndaj një hetim i nisur në mënyrë të paligjshme, që u ndoq nga një urdhër “Arrest në burg” i paligjshëm dhe që u ekzekutua në mënyrë të paligjshme s’mund të kishte një gjykim të ligjshëm, objektiv e jo diskriminues”- shkruan Meta.
Sipas Metës, vazhdimi i masës së sigurisë “Arrest në burg” për të është diskriminues. Meta shkruan me tej se GJKKO, s’ka paraqitur ndonjë analizë të detajuar se si secili nga të dyshuarit mund të ndikojë në prishjen ose asgjësimin e provave.
“Po ç’prova mund të rrezikojë Ilir Meta për çështjen absurd CEZ-DIA, që ka 13 vjet që hetohet e bazohet vetëm në intervista të sajuara nga dëshmitarë që kanë problem me drejtësinë”- shkruan Meta.
Meta e përmbyll shkrimin e tij duke theksuar se “i gjithë ky proces rrëmbimi politik, ka vetëm një qëllim politik, izolimin e paligjshëm ekstrem të Ilir Metës, si President i Partisë së Lirisë, me qëllim pengimin e aktivitetit të saj opozitar”.






















