Ballina Aktualitet

Protesta e opozitës, bllokohet lëvizja tek ish-sheshi “Shqiponja” dhe kthesa e Kamzës

TIRANË, 29 tetor/ATSH/ Protesta e paralajmëruar nga Partia Demokratike nisi mbrëmjen e sotme rreth orës 17:00.

Ashtu si edhe kishin paralajmëruar, deputetë dhe mbështetës të Partisë Demokratike u mblodhën në ish-sheshin “Shqiponja” duke paralizuar lëvizjen, ndërsa me dhjetëra forca policore janë të pranishëm për të siguruar mbarëvajtjen e protestës dhe qarkullimin e mjeteve.

Bllokime pati edhe në kthesën e Kamzës, duke pamundësuar lëvizjen normale të automjeteve, ndërsa në rrugë ka shumë qytetarë.

Sekretari i Përgjithshëm dhe deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka që drejton bllokimin e rrugës tek kthesa e Kamzës tha se “kauza e opozitës është më e drejtë për çdo qytetar që i thotë kombit komb, është kauzë për Shqipëri demokratike”.

“Jemi në mosbindje civile, vazhdojmë me akte të tjera. Ne do bëjmë gjithçka në betejën tonë. Do vazhdojmë derisa ta rrëzojmë në gjunjë regjimin”, u shpreh ai para protestuesve.

“Ne duam që të frenohet shpopullimi, që shqiptarët mos të jenë të varfër. Shqipëria ecën përpara me zgjedhje të lira”, tha Noka.

Noka ka vendosur edhe makinën e tij për bllokimin e rrugës dhe moskalimin e asnjë mjeti. Protestuesit demokratë që bllokuan aksin që lidh kthesën e Kamzës me ish-sheshin Shqiponja lejuan kalimin e disa ambulancave.

Dogjani: Nuk duam bllokim, por fjala jonë ra në vesh të shurdhër

Deputeti i PD-së, Asllan Dogjani, i cili ndodhet në ish-sheshin “Shqiponja” tha se si opozitë kanë bërë disa protesta.

“Jo se kemi dëshirë të bllokojmë akset kryesore që lidhin Tiranën me qytetet e tjera të vendit, por fjala jonë ka rënë në vesh të shurdhër pasi ka pasur përballë një regjim një diktaturë dhe ne e kemi ashpërsuar protestën duke bllokuar rrugët”, u shpreh ai për mediet e pranishme në protestë.

Kjo është protesta e dytë kombëtare e thirrur nga Partia Demokratike si reagim pas dënimit me 1 vit burg të nënkryetarit të grupit parlamentar të PD, Ervin Salianji, i cili u shpall fajtor nga gjykata për “Kallëzim të rremë” lidhur me dosjen “Babalja”.

Ndërkohë Policia e Shtetit ka angazhuar 1200 efektivë në të gjithë vendin për mbarëvajtjen e protestës, por edhe për të koordinuar trafikun në rast bllokimesh.

Tensionohet protesta

Deputetja Albana Vokshi dhe deputeti Flamur Noka janë përplasur me policinë, teksa protesta në rrethrrotullimin e ish-sheshit “Shqiponja” është tensionuar.

Forcat e FNSH ishin në gatishmëri për të liruar qarkullimin e mjeteve, por deputetët e PD-së vijuan të kërkojnë që ata të largohen.

 

/vijon/k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMbështetës të PD-së bllokojnë qarkullimin në disa nyje kyçe, digjen goma në Shkozet e Milot
Artikulli tjetërRama: Plan agresiv për të frenuar vjedhjen e pensioneve nga sipërmarrësit dhe punëmarrësit