Ballina Aktualitet

Opozita, protestë para bashkisë së Tiranës

TIRANË, 25 tetor /ATSH/ Përpara bashkisë së Tiranës u zhvillua sot protesta e radhës e opozitës, ku morën pjesë anëtarë të Partisë Demokratike, të Partisë së Lirisë si dhe të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, të cilët kërkuan dorëheqjen e kryebashkiakut Veliaj.

Dorian Teliti, këshilltar për çështjet Ekonomike në PD, tha se drejtësia po merret me akuza false ndaj drejtuesve të opozitës, e jo me shkaktarët e vërtetë të varfërisë.

“Po sajojnë akuza dhe po lënë Sali Berishën në arrest shtëpia pa prova. Të shkojnë të gjejnë ku janë 35 milionë eurot e 5D. Po merren me akuza false për drejtuesit e opozitës. Të shkojnë të merren dhe të zbatojnë ligjin. Të shkojnë të merren me shkaktarët e vërtetë të varfërisë”, tha Teliti.

Ish-deputetja Silva Caka po ashtu tha se po mbahen të burgosur dy kryetarë të të vetmeve parti opozitare në vend.

“Kush mendoni ju se është opozitë, Adriatik Llapaj që financohet nga ky, Arlind Qorri që komandohet nga Veliaj? Nuk janë ata opozita, opozita jemi ne që jemi këtu jo ata që janë në shtëpitë e tyre, jemi ne qe ë ndjejmë çdo ditë se ku po rrëshqasim ne si popull dhe si vend. Nuk janë ata opozita, opozita janë Meta e Berisha e ndaj janë arrestuar sot sepse janë të vetmit njerëz që mund të shembin këtë regjim”, u shpreh Caka.

Ilda Zhulali, drejtuese e Departamentit të Politikës së Jashtme në PD, tha se vetëm mosbindja civile do ta shpëtojë Shqipërinë.

“Është vetëm mosbindja civile ajo që do të shpëtojë Shqipërinë. Të gjithë së bashku ditën e martë t’i tregojmë këtij regjimi që ne nuk jemi dele”, u shpreh Zhulali.

Sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi duke folur në protestë deklaroi se, është koha të organizohen më fort me këtë qeveri të inkriminuar.

“Berisha dhe Meta sot janë në burg, sepse ata janë mbrojtësit më të flaktë të çështjes Kombëtare, sepse ata kanë qenë mbrojtësit më të fortë të këtij shteti dhe kundër Ballkanit të Hapur”, u shpreh Blushi.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGAZË – Të paktën 28 ​​të vdekur pas sulmit të fundit izraelit ndaj Khan Younis
Artikulli tjetërKonferencë shkencore mbi përdorimin e inteligjencës artificiale në funksion të bibliotekave