Ballina Aktualitet

Rama: Shqipëri-BE më pranë se kurrë


TIRANË, 23 tetor /ATSH/ Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen zhvilloi  sot një vizitë zyrtare në Tiranë, ku fillimisht u prit me ceremoni zyrtare në Kryeministri nga kryeministri Edi Rama.

Pas takimit mes tyre, Kryeministri Edi Rama dhe presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Ndër të tjera, kryeministri Rama vlerësoi se Shqipëria dhe Bashkimi Europian janë sot më pranë se kurrë më parë.

“E di shumë mirë përpara sesa t’Ju dëgjoj, që sot Ju nuk do ta përsërisni fjalinë me të cilën keni mbyllur të gjitha konferencat e mëparshme të shtypit: ‘Ne duam të fillojmë me Shqipërinë negociatat për anëtarësim’. Sot kjo fjali i përket historisë, sepse sot keni ardhur në Shqipëri pasi tanimë Shqipëria është ulur në tryezën e negociatave për anëtarësim dhe ka hapur grup-kapitullin e parë të ‘Themeloreve’ duke hyrë në një fazë të re, në fazën kur, kur të vini përsëri do duhet ta mbyllni konferencën e shtypit duke thënë: ‘Ne duam anëtarësimin e Shqipërisë në BE'”, u shpreh Rama, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp.

Në vijim kryeministri Rama dhe presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen morën pjesë edhe në ceremoninë e hapjes së kampusit të Kolegjit të Europës, i pari kampus që hap dyert jashtë një vendi të Bashkimit Europian.

/m.m/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBlushi: Meta është sot i burgosur politik
Artikulli tjetërROMË – Meloni: Marrëveshja Itali-Shqipëri për emigrantët do të funksionojë më së miri