Ballina Aktualitet

Rama: Ndërhyrje e fortë për deklarimin e pagave reale

TIRANË, 21 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama paralajmëroi sot ndërmarrjen e një ndërhyrje të fortë për deklarimin e pagave reale, mosdeklarimin e të cilave e konsideroi krim ndaj pensionistëve.

Në një bashkëbisedim me pensionistët për skemën e pensioneve, Rama tha se “ka nevojë për solidaritet të madh në këtë proces për të mos lejuar që dhjetëra mijëra njerëz të vjedhin pensionet çdo muaj duke mos deklaruar pagat reale”.

“Këtu ne do të ndërhyjmë shumë fort. Nuk dua të bëj as kërcënim as paralajmërime, por dua t’i them të gjithë biznesmenëve, sidomos atyre në ndërtim se është krim regjistrimi i punonjësve me paga minimale.

“Nuk ekzistojnë sot punonjës ndërtimi me paga 400 apo 700 euro në muaj. Ky është krim edhe pse deri sot e kemi trajtuar si informalitet”, tha Rama.

Për mbledhjen e kontributeve shoqërore, Rama tha se do të ndiqet e njëjta skemë si në rastin e atyre që nuk paguanin për energjinë elektrike.

“Jemi aty ku ishim me energjinë elektrike. 50% e popullit paguante energjinë elektrike dhe për ata që nuk paguanin kur ne morëm detyrën ishim në prag të kolapsit të plotë energjetik. Tani jemi në kohën kur me të gjithë ata që i shmangen detyrimit për të paguar për pensionet tuaja ne do të sillemi njësoj si ata që nuk paguanin energjinë elektrike”, shtoi Rama.

Rama informoi po ashtu se nga viti 2013 është rritur me 290 mijë persona numri i atyre që kontribuojnë.

“Nuk është pak, por prapë është kaq e pamjaftueshme sa është e pajustifikueshme që këta të deklarojnë pagat joreale”, tha Rama.

Një problem tjetër, sipas tij, ka të bëjë me vitet e pakta të punës.

“Është problem shumë i madh. Me rritjen e numrit të pensionistëve çdo vit me 15 mijë deri në 18 mijë parashikojmë që fondi duhet të shkojë afërsisht në 2 miliardë euro. Po të shikoni fondin që ka Shqipëria për pensionet në krahasim me të gjitha të tjera është fondi më i madh në buxhetin e shtetit. Është 1/4 e buxhetit të shtetit për pensionistët. Këte gjë fatmirësisht sot e shikojmë me pozitivitet se ka filluar të na krijohet pak hapësirë për të kontribuar drejtpërdrejtë për të pasur një bonus më të arsyeshëm, por na duhet patjetër pjesa e atyre që duhet të paguajnë për pensionet sot”, shtoi Rama.

 

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakArrestimi i Çyrbjas, Berisha: Fakton se vendimmarrës është krimi
Artikulli tjetërParku Divjakë-Karavasta, mbi 37 mijë vizitorë vetëm në shtator