TIRANË, 13 tetor /ATSH/ Kombëtarja do të luajë nesër ndeshjen e dytë të muajit tetor ndaj Gjeorgjisë, e vlefshme për Nations League, pas ndeshjes me Çekinë, të shtunën të humbur 0-2.
Në një konferencë për shtyp përpara kësaj sfide mbrojtësi Ardian Ismajli vlerësoi kundërshtarin e radhës, Gjeorgjinë dhe shtoi se nesër Kombëtarja synon të marrë tre pikët në “Mikheil Meskhi”, pasi vetëm fitorja i mban në garë për vendin e parë.
“Ne kemi ardhur këtu për tre pikët, rrugë tjetër nuk ka. Vetëm fitorja na mban në garë për vendin e parë. Me përkushtim, jemi të gjithë të bashkuar dhe besojmë që nesër do të dalim me tre pikë nga ky stadium”, tha ai.
Për reagimin e skuadrës pas ndeshjes me Çekinë, Ismajli u shpreh se , “kemi dy humbje në dy ndeshjet e fundit. Besoj që në ndeshjen e parë me Gjeorgjinë nuk e kemi merituar humbjen. Megjithatë, tashmë është e kaluar. Duhet të shikojmë përpara. Vetëm fitorja na bën punë. Kemi ardhur për tre pikët, shpresojmë që t’ia dalim. Vetëm tre pikëshi na mban në garë për vendin e parë”.
Për sulmuesin gjeorgjian, Kvaratskhelia, Ismajli tha se, ka cilësi shumë të mira.
“Të gjithë e njohim Kvaratskhelian për kualitetin dhe aftësitë që ka. Por ashtu si në ndeshjen e parë që ia kemi dalë ta ndalojmë, besoj që do e ndalim edhe nesër sepse grupi e bën rezultatin dhe ndeshjen. Dhe sidomos ne mbrojtja për ndalimin e aksioneve të kundërshtarëve”, tha ai.
Për ekipin e Gjeorgjisë, Ismajli tha se, “Saba ka një vit që ka ardhur te Empoli nga Gjeorgjia. Është shumë i talentuar, ka shumë aftësi fizike dhe teknike. Po luan si titullar dhe ka bërë shumë mirë, ashtu si i gjithë ekipi. Besoj dhe shpresoj që edhe ai do të vazhdojë me këtë ritëm dhe do të ketë një karrierë shumë të madhe. E dimë kualitetin e Gjeorgjisë, pikat e tyre të forta. Trajneri dhe stafi kanë analizuar çdo aspekt. Me punë, përkushtim dhe me një motiv shtesë nesër besojmë që do t’ja arrijmë qëllimit”.
I pyetur sesi mendon Kombëtarja ta ndalojë ekipin gjeorgjian nesër, Ismajli u shpreh se, “plani ynë është të futemi gjithmonë në ndeshje të bëjmë më të mirën si deri tani, në dy ndeshjet e fundit nuk kemi marrë rezultatet që donim por shpresojmë që nesër t’ia dalim. Gjeorgjia luan me kundërsulme, presin shumë më shumë topin e dytë dhe plani ynë është si gjithmonë deri tani, nuk ndryshon, do vazhdojmë me të njëjtën skemë dhe shpresoj që në fund t’ia dalim”.
Ismajli dhe edhe një mesazh për tifozët.
“Ashtu si Gjeorgjia erdhi në Tiranë për të luajtur, edhe ne kemi ardhur për të lozur futboll. Nuk e di se çfarë ka ndodhur në Air Albania dhe përsa i përkët tifozët gjeorgjianë, ne kemi ardhur për të lozur futboll, për të bërë më të mirën. Jemi profesionistë dhe këtë e kemi treguar gjithmonë”, tha Ismajli para mediave./a.f/























