Ballina Aktualitet

Qeveria gjermane, mbështetje procesit të integrimit të Shqipërisë në BE

TIRANË, 19 shtator /ATSH/ Në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë u zhvillua një takim pune midis Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë dhe Komisionit për Punën dhe Çështjet Sociale të Bundestagut të Republikës Federale të Gjermanisë.

Në këtë takim morën pjesë anëtarë dhe drejtues të të dy komisioneve respektive.

Kryetarja e Komisionit, Zheni Gjergji, falënderoi kolegët për vizitën e tyre, dhe shprehu mirënjohjen për të gjithë bashkëpunimin e frytshëm që dy vendet kanë ndërmjet tyre.

Zëvendëskryetarja e Komisionit, Klodiana Spahiu, vuri theksin në vijimin e bashkëpunimit midis vendeve mike dhe kërkoi mbështetjen e qeverisë gjermane në mbështetje të procesit të Integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Gjatë takimit, pala gjermane veçanërisht kryetari i Komisionit, Rutzel, shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të thellë midis dy komisioneve për vijimin e miratimit të reformave në çështjet sociale dhe të migracionit si një shans për t’i dhënë Shqipërisë një mundësi të shpejtë për tu bërë pjesë e Bashkimit Europian.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMenaxhimi i riskut të fatkeqësive natyrore, përmirësim i aftësive të rimëkëmbjes
Artikulli tjetërTrafik armësh, ekstradohet nga Kolumbia 25-vjeçari shqiptar