Ballina Flash

Vjosa Osmani merr çmimin M100

TIRANË, 12 shtator/ATSH/ Në një ceremoni solemne, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani është nderuar me çmimin e forumit ndërkombëtar M100 Sanssouci Colloquium në Potsdam të Gjermanisë, duke u bërë kështu liderja e parë nga Ballkani që nderohet me këtë çmim për përkushtimin e saj ndaj vlerave euroatlantike.

Ish-ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë gjatë luftës në Kosovë, Rudolph Scharping, ka thënë se presidentja Vjosa Osmani nderohet me këtë çmim si një personalitet që ka inspiruar me punën e saj të palodhshme në forcimin e demokracisë, luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit dhe për të drejtat e njeriut, vlerave euroatlantike, si dhe barazinë e të drejtat e grave.

Presidentja Vjosa Osmani në një fjalim emocional ka thënë se populli i Kosovës do të jetë gjithmonë kampion i demokracisë dhe do të punojnë që gjeneratat e ardhshme të kenë një jetë më të mirë.

Ajo ka falënderuar Gjermaninë për praninë e trupave të saja në kuadër të KFOR-it si pjesë e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, teksa ka folur edhe mbi ambiciet e Kosovës për aderim në të ardhmen në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Ndryshe, nominimi i Osmanit është bërë nga juria e Forumit. Ky çmimi u jepet personaliteteve që janë të përkushtuara për forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit, të drejtave të njeriut dhe vlerave evropiane. /Kosovapress/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBERLIN – Mijëra mjekë gjermanë në grevë për shkak të pagave
Artikulli tjetërVeliaj dhe Herzog vizitojnë memorialin e Holokaustit në Parkun e Liqenit të Tiranës