Ballina Aktualitet

Kingji-Çako: Situata e zjarreve nën kontroll, prioritet jetët njerëzore dhe zonat e banuara

TIRANË, 15 gusht /ATSH/ Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Arben Kingji informoi sot se Forcat e Armatosura janë angazhuar me një personel prej mbi 4600 forcash për të përballuar situatën e zjarreve këtë verë.

Në një diskutim me ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vëngu në sallën e Shtabi të Përgjithshëm të FA ku realizohet koordinimi dhe mbështetja e forcave për nevojat e emergjencave civile, mbi zhvillimin e strategjisë për përballimin e situatës të zjarreve në vend, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneralmajor Arben Kingji u shpreh se Forcat e Armatosura janë aktualisht janë prezent në të gjitha qarqet ku operojnë FA-të me forca, mjete, helikopterë si dhe pjesë të tjera mbështetëse sipas nevojës.

“Gjatë gjithë periudhës së verës kemi pasur një angazhim me mbi 4600 personel, të cilët janë angazhuar në të gjitha detyrat sipas kërkesave. Realizimi i të gjitha kërkesave ka ardhur nëpërmjet qendrës së bashkuar operacionale. Është bërë koordinimi me të gjitha institucionet dhe aktualisht po veprohet mbi bazën e të gjithë rregullave në fuqi për këtë qëllim”, tha Kingji.

Ai shtoi se, gjatë kësaj periudhe është operuar me forcën ajrore, ku janë vënë në dispozicion helikopterët Cougar.

“Helikopteri Cougar ka vepruar si në pamje të kushteve të motit të kufizuar ashtu edhe gjatë ditës. Njëkohësisht i jemi përgjigjur kërkesave që kanë ardhur për emergjencat shëndetësore. Helikopteri është në gatishmëri të plotë 24 orë në 7 ditë të javës”, u shpreh Kingji.

Kingji shtoi se, “po kështu i jemi përgjigjur me mbështetje të plotë edhe Policisë së Shtetit me helikopterët “Black Haëk” për transportin e personelit. Njëkohësisht e gjithë flota ajrore është në gatishmëri të plotë operacionale për t’iu përgjigjur të gjitha kërkesave për emergjencat civile”.

Kingji u shpreh se, është operuar edhe me dronët “Bayraktar” për të përcaktuar të gjitha vatrat, dëmet e shkaktuara nga zjarret, për të pasur një ide më të qartë për dëmet.

Njëkohësisht, shtoi ai, “në mbështetje të emergjencave civile kemi vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet xheniere për pastrimin e municioneve në të cilën operojnë forcat tona në terren.

Njëkohësisht, u shpreh Kingji, janë marrë masat e plota për vendosjen në gatishmëri edhe të mbështetjes me forcat e kimisë në rast se do paraqitej nevoja.

Kingji u shpreh se, “Baza ajrore e Kuçovës me ardhjen e dy avionëve nga Rumani është operacionale e plotë. Kemi marrë masa me mbështetje logjistike, komandim kontrolli për realizimin me sukses të misionit” .

Ndërsa, Drejtori i Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako u shpreh se deri tani ka pasur një përballim të suksesshëm të të gjitha situatave, pavarësisht intensitetit të shtuar dhe të jashtëzakonshëm.

“Vetëm 24 orët e fundit kanë pasur një intensitet shumë të lartë mbi 40 vatra zjarri të cilat janë menaxhuar të gjitha, me përjashtim të ekzistencës së disa vatrave që janë kryesisht në zona malore, për të cilat po vazhdon puna me të gjitha kapacitet dhe strukturat operacionale, qofshin ato të njësive të pushtetit vendor, por edhe të mbështetura fuqishëm nga strukturat operacionale të nivelit qendror sikurse janë edhe forcat e armatosura, të cilat janë angazhuar maksimalisht nga toka, por edhe nga ajri, ku vlen të theksohet dhe të falënderohet i gjithë stafi i flotës ajrore, i cili ka qenë në gatishmëri të jashtëzakonshme dhe ka ndihmuar në një parandalim të jashtëzakonshëm të situatave, të cilat kanë vënë në rrezik jetë qytetarësh dhe zona të banuara, të cilat për fat të mirë kanë shpëtuar”, tha Çako.

Ai u shpreh se, AKMC është në komunikim dhe në bashkërendim edhe me drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave civile në Bruksel.

“Në sajë të ligjit dhe të marrëveshjes që qeveria shqiptare ka bërë me Mekanizmin Evropian të Mbrojtjes Civile kemi mundësuar mbërritjen e dy avionëve, të cilët po operojnë në zonën e Prespës. Rezultati ka qenë shumë pozitiv”, tha Çako.

Ai shtoi se operacioni vazhdon edhe ditën e sotme dhe situata është nën kontroll.

“Kemi pak vatra të cilat janë ekzistente, por në pjesën më të madhe vatrat digjen brenda sipërfaqes së djegur. Gjithsesi monitorohen në vazhdimësi me struktura operacionale për parandalimin e përhapjes në zona të banuara, duke vendosur në prioritet absolut jetët e qytetarëve dhe zonat e banuara”, tha Çako.

Ai bëri një thirrje për gjithë komunitetin të jenë pjesë integrale e reagimit në kohë për paralajmërimin e hershëm, pasi tha ai, “koha në të cilën reagojmë është një nga elementët më thelbësorë dhe më të rëndësishëm të gjithë përballimit të këtyre situatave të pazakonta, të cilat në vendet fqinje, sikurse jam informuar dhe komuniteti ka pasur risqe shumë të shtuara në zona të banuara”.

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSIÇILI – Mbyllet aeroporti në Katania pas shpërthimit të Etna-s
Artikulli tjetërFOKUS – Hamasi nuk do të negociojë kushtet e reja të armëpushimit