Ballina Bota

SHBA – Trump vë në dyshim identitetin racor të Harris

TIRANË, 1 gusht /ATSH/- Donald Trump ka vënë në dyshim identitetin racor të Kamala Harris gjatë një konvente për gazetarët me ngjyrë, sipas BBC.

Trump pretendoi në mënyrë të rreme se zëvendëspresidentja dhe kandidatja e supozuar demokrate kishte përmendur vetëm trashëgiminë e saj aziatike-amerikane deri vonë, kur ai zbuloi se “ajo ishte një person me ngjyrë”.

“Unë nuk e dija se ajo ishte me ngjyrë deri disa vite më parë – dhe tani na doli që ishte me ngjyrë dhe që dëshiron të njihet si e tillë”, tha Trump në kongresin e Shoqatës Kombëtare të Gazetarëve me Ngjyrë, në Çikago.

“Pra, nuk e di – A është ajo indiane apo është një grua me ngjyrë?”, tha ai.

Harris tha se deklarata e Trump ishte “e njëjta shfaqje e vjetër” e “përçarjes… dhe mosrespektimit”.

“Populli amerikan meriton më mirë”, tha ajo në një takim në Hjuston.

“Ne meritojmë një lider që kupton se dallimet tona nuk na ndajnë – ato janë një burim thelbësor i forcës sonë”, tha Harris.

Harris është zëvendëspresidentja e parë me ngjyrë dhe aziato-amerikane, me prindër të lindur në Indi dhe Xhamajkanë.

Ajo ndoqi Universitetin Howard, një universitet historikisht për njerëzit me ngjyrë, dhe iu bashkua grupit mbizotërues me ngjyrë “Alpha Kappa Alpha”.

Ajo u bë anëtare e Grupit të njerëzve me ngjyrë të Kongresit pasi hyri në Senat në 2017.

“Askush nuk ka të drejtë t’i tregojë dikujt se kush është apo si identifikohet”, tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre. //a.i/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakManastirliu: Shkolla “Rushan Qevani” në Cërrik, gati në shtator
Artikulli tjetërHoxha pret homologun bavarez: Thellim i bashkëpunimit në luftën ndaj krimit të organizuar