TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Toni Gogu, prezantoi sot në Kuvend raportin përfundimtar të Komisionit Hetimor për Mbrojtjen e të dhënave të sistemit TIMS.
Në cilësinë edhe të nënkryetarit të këtij komisioni, Gogu renditi rezultatet e hetimit katërmujor e gjithëpërfshirës dhe tha se ky raport nxjerr në pah kontrastin e thellë midis dy qasjeve hetimore: njëra e karakterizuar nga akuza të nxituara, dhe tjetra e bazuar në ekzaminim të plotë dhe metodik. Rezultate që, siç theksoi ai gjatë fjalës në Kuvend, japin një pamje krejtësisht të ndryshme të kësaj çështje. Në emër të mazhoranës në këtë komision hetimor, i cili e përfundoi mandatin e dhënë nga Kuvendi, Gogu propozi 4 masa që duhen ndërmarrë.
“Së pari, duhet rishikimi i Kornizës Ligjore për tre ligje. Hetimi ynë nënvizon nevojën urgjente për të rishikuar dhe harmonizuar kuadrin ligjor ekzistues që rregullon sistemin TIMS. Konkretisht duhet të trajtojmë: Ligji nr.8792, datë 10.05.2001 “Për krijimin e qendrës së përpunimit të të dhënave”; Ligji Nr.71/2016, “Për Kontrollin Kufitar”; Ligji nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, i ndryshuar.
Së dyti, zbatimi i akteve ligjore dhe nënligjore. Ne identifikuam çështje të rëndësishme në zbatimin e akteve ligjore dhe nënligjore, duke nxjerrë në pah mangësitë që duhen adresuar për të garantuar integritetin dhe efikasitetin e sistemit”, tha Gogu.
“Së treti, duhet rishikim Gjithëpërfshirës i Aktiviteteve Operative të Policisë. Një rishikim gjithëpërfshirës i aktiviteteve operative të të gjitha strukturave të policisë që ndërveprojnë me sistemin TIMS është thelbësor. Gjetjet nga ky raport duhet të adresohen me shpejtësi përmes legjislacionit të ri, i cili së shpejti do të paraqitet për shqyrtim parlamentar. dhe në fund rishikimi dhe përmirësimi i akteve nënligjore. Aktet nënligjore aktuale që rregullojnë sistemin TIMS kërkojnë një rishikim të plotë. Për të mbrojtur integritetin e të dhënave të sistemit, ne duhet të zbatojmë kontrolle në çdo nivel dhe të vendosim rregulla të qarta që përcaktojnë kompetencat dhe llogaridhënien”, tha Gogu.
Në përmbyllje të fjalës së tij për këtë çështje, ai nënvizoi ndër të tjera se roli i deputetëve është “të kërkojnë të vërtetën dhe të sigurojnë drejtësi, jo të krijojnë frikë apo konfuzion të pajustifikuar”. Ky është ndryshimi midis deklarimit të fajit pa prova, tha Gogu, dhe kërkimit të së vërtetës përmes hetimeve rigoroze.
Gogu tha se u konfirmua sulmi kibernetik ndaj Shqipërisë. Ai duke replikuar me deputetin demokrat, Ervin Salianji, tha se raporti i pakicës është raport partiak. “Ajo që lexoi Salianji është një raport partiak, jo i një komisioni hetimor. Ka një ngjarje të veçuar, për të cilën po heton prokuroria, që gjatë komisionit u hetua dhe ajo. Por, komisioni ka hetuar vepritarinë 1-vjeçare të të gjitha institucioneve që janë të ngarkruara me ligj për mbrojtjen e sitemit Tims. Sot sistemi TIMS është funksional, është tërësisht i mbrojtur nga kompetencat profesionale të Policisë së Shtetit. Në pikat kufitare të Shqipërisë hyjnë dhe dalin qytetarët, që kontrollohen ashtu siç e kërkon ligji. Ky sistem është tërësisht në punë. Ajo çfarë dëgjuat të dashur kolegë nuk përputhet me raportin hetimor. Nuk përputhet me raportin e komisionit, me provat. Janë thënie të veçuara të një dëshmitari, që përpiqen të arrnojnë disa pantallona politike të parafolësit për ta mbuluar, pasi është pak zbuluar”, tha Gogu.
Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, i cili mbajti dhe pozicionin e kryetarit të komisionit hetimor për daljen e të dhënave të sistemit TIMS, duke prezantuar raportin e pakicës në Kuvend, u shpreh se gjetjet do të dërgohen në SPAK. “Ka patur hakerim, jo një herë, por dy herë”, tha Salianji. “Po, ka patur njerëz të paregjistruar në sistemin TIMS, që kanë kaluar kufirin”, u shpreh Salianji.
Salianji u shpreh se demokratët kërkuan në komision edhe dy muaj hetime shtesë për t’i shkuar deri në fund gjetjeve të komisionit, por u refuzua, sipas tij, nga socialistët pa justifikime të arsyeshme.
Salianji evidentoi se nga puna e komisionit rezultoi se Ervin Muça nuk përmbushte kushtet për të qenë drejtor i departamentit të IT.
“Nga puna e komisionit rezultoi se Ervin Muça nuk përmbushte kushtet për të qenë drejtor i departamentit të IT. Ai është proceduar penalisht në Itali për falsifikim dokumentesh në vitin 2007, i është refuzuar leja e qëndrimit në vitin 2008, nuk ka plotësuar formularin e dekriminalizimit. Nuk ka kryer trajnimet e detyrueshme. Nuk ishte pajisur me certifikatën e sigurimit të personelit dhe ishte i dypunësuar në Agjencinë e Kadastrës. Emërimi i tij është bërë thuajse 10 ditë para se të hapej vendi vakant dhe 8 ditë para se të dilte urdhri i tij i emërimit”, u shpreh Salianji.
Salianji zbuloi se ish-drejtuesi i departamentit të IT, Ervin Muça ka deklaruar se ka pasur dy sulme kibernetike të pretenduara nga hakerët iranianë.
“Ervin Muça na ka deklaruar se ka pasur dy sulme kibernetike. Sulmi i parë u mbajt i fshehtë pa kryer hetim apo masa që solli edhe sulmi ne dytë të pretenduar nga hakerat iranianë. Si rezultat i këtyre sulmeve çdo e dhënë në sistemin TIMS nga krijimi i tij deri në shtator 2022 gjenden në një kanal online që na është thënë konkretisht. Këto të dhëna janë të aksesueshme nga ata që kanë interes nga krimi i organizuar te shtetet jomiqësore që në këmbim të një shume monetare, sot çdo e dhënë mund të shitet e blihet lehtësisht.
Ai ka deklaruar se ka pasur raste të tjera kur të dhënat janë prekur. Justifikimi më i përdorur nga drejtuesit e Ministrisë së Brendshme ka qenë se sulmet janë kryer nga iranianët. Kjo nuk ishte e vërtetë, sipas tij, dhe hetimit të komisionit parlamentar. Kjo vërtetohet nga një memo e vitit 2021 ku ish-drejtuesja e departamentit IT konfirmon se disa kompjuterë të drejtuesve administrativë janë hakeruar dhe kjo ngjarje u fsheh. Këto sulme janë kryer edhe në sistemet e Policisë së Shtetit, të cilat arritën të prekin çdo pikë fundore, sepse personat që e kishin për detyrë jo vetëm që nuk kanë bërë izolime, por kanë bashkëpunuar me hakerët e sistemit sipas deklarimeve të zotit Muça”, u shpreh ai.
Salianji tha se janë shkelur procedura edhe për emërimet e disa drejtuesve të tjerë. “Kanë dorëzuar dokumentacionin pa u hapur procedura e rekrutimit. Kur i pyetëm se përse, na thanë se ishte procedurë me mik”, u shpreh Salianji.
Në fund deputeti i PD tha se gjetjet duhen dërguar në SPAK për hetim të thelluar.
/r.e/























