Ballina Bota

FOKUS – Irani dhe Rusia manovra të përbashkëta në Detin Kaspik

TEHERAN, 22 korrik /ATSH-DPA/- Irani dhe Rusia nisën sot manovrat e përbashkëta detare në Detin Kaspik, pasi të dy fuqitë rikonfirmuan partneritetin e tyre strategjik.

“Manovra do të përfshijë ushtrime taktike, misione shpëtimi dhe operacione kundër piraterisë”, tha agjencia e lajmeve ISNA, duke cituar një zëdhënës të marinës iraniane.

Një anije luftarake nga Marina e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike do të jetë gjithashtu në funksion.

Nuk janë zbuluar detaje mbi gjatësinë e manovrës së përbashkët.

Irani dhe Rusia kanë qenë aleatë të ngushtë prej vitesh, me të dy vendet që mbështesin regjimin e Bashar al-Assad në Siri.

Teherani është akuzuar se ka furnizuar Moskën me dronë për t’u përdorur kundër Ukrainës, një akuzë të cilën liderët iranianë e kanë mohuar.

Presidenti i sapozgjedhur i Iranit, Masoud Pezeshkian, i parë gjerësisht si një reformist i moderuar, pritet të kërkojë marrëdhënie më të ngushta me Perëndimin pas tensioneve të larta në vitet e fundit.

Megjithatë, manovrat e përbashkëta sugjerojnë se ai nuk është i gatshëm të ndërpresë lidhjet me Moskën. //a.i./

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKIEV – Ministri i Jashtëm ukrainas viziton Kinën
Artikulli tjetërKëshilli bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë