Ballina Flash

Bashkëpunim me arbëreshët e Italisë, Osmani e Kurti takojnë kryetarin e Strigarit

PRISHTINË, 22 korrik /ATSH/ Kryetari i komunës arbëreshe të Strigarit, Damiano Baffa po zhvillon një vizitë në Kosovë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim kryetarin e komunës arbëreshe të Strigarit, Damiano Baffa.

Sipas presidentes Osmani, identiteti kulturor e gjuhësor arbëresh është pjesë e çmueshme e identitetit dhe e kulturës shqiptare.

Në këtë kontekst, Osmani theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar dhe e angazhuar për ruajtjen e identitetit arbëresh si dhe përmirësimin e pozitës së tyre në shtetin italian.

Në takim u diskutua mbi mundësinë e bashkëpunimit të Strigarit me komunat e Kosovës në funksion të promovimit të kulturës arbëreshe në Kosovë dhe anasjelltas, si dhe ruajtjes së trashëgimisë e shkëmbimeve kulturore.

Më herët sot kryeministri Albin Kurti priti në takim kryetarin e Strigarit, Damiano Baffa, komunë kjo arbëreshe në rajonin e Kalabrisë dhe në afërsi të qytetit Kozenca në jug të Italisë.

Në takim u diskutua mbi mundësitë për bashkëpunim ndërmjet Komunës së Strigarit dhe komunave arbëreshe me komunat e Kosovës, në projekte të cilat prekin veçanërisht fushën e kulturës.

Kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë për bashkëpunim edhe në organizimin e aktiviteteve për promovimin e kulturës arbëreshe në Kosovë dhe anasjelltas, por edhe seminare të përbashkëta për të thelluar dijen mbi njohjen e rolit të rëndësishëm të arbëreshëve.

Kryetari Baffa tha se ndihet i nderuar dhe i lumtur që ndodhet në Kosovë, e ku vlerësoi pritjen kushtuar tij, të cilën e cilësoi të jashtëzakonshme. Ai shtoi se komuniteti i arbëreshëve në Itali, në zonën e Kalabrisë, që 600 vjet ruajnë traditën, kulturën e gjuhën arbëreshe.

Gjatë kësaj vizite, kryetari Baffa i dhuroi kryeministrit Kurti librin me poezi të autorit arbëresh Giuseppe Serembe dhe e ftoi për një vizitë në Strigari dhe komunat arbëreshe.

/KosovaPress/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKëshilltari i PL-së krijon tensione në Këshillin Bashkiak, Veliaj: Zbatim i ligjit që Tirana mos të mbetet peng i maktheve të Metës
Artikulli tjetërYmeri, fermeri që ka ngritur stabilimentin me viça falë fondeve IPARD