Ballina Aktualitet

Asgjësohen 4461 bimë kanabis sativa në Lezhë e Shkodër

TIRANË,10 korrik/ATSH/  Policia e Lezhës dhe Shkodrës kanë zbuluar dhe asgjësuar 4461 bimë kanabis sativa.

“U finalizua operacioni i koduar “Corn”, si rezultat i të cilit u godit një rast i kultivimit të bimëve narkotike dhe u arrestua në flagrancë shtetasi P. Gj., 61 vjeç, banues në fshatin Laç. Ky shtetas dyshohet se ka kultivuar në një sipërfaqe toke në pronësi të tij, të mbjellë me misër, 900 bimë të dyshuara narkotike kanabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies. Gjithashtu, ky shtetas kishte krijuar lidhje të paligjshme të energjisë elektrike për të furnizuar sistemin e vaditjes së këtyre bimëve”,  njofton Policia e Lezhës.

Megaoperacioni policor antikanabis i koduar “Territor i pastër”, vijon.  Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër kanë zbuluar dhe asgjësuar 3561 bimë kanabisi të kultivuara në këto territore.

“Nga kontrollet intensive të territorit, goditen raste të tjera të kultivimit të bimëve narkotike, në fshatrat e njësive administrative Pult dhe Shalë. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër kanë gjetur të kultivuara në territoret e këtyre fshatrave dhe kanë asgjësuar 3561 bimë cannabisi. Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të implikuar në këtë veprimtari kriminale”, njofton Policia.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSeanca për “Gërdecin”, GJKKO: Ekspertët do të përgjigjen me shkrim, Mediu: Proces absurd
Artikulli tjetërKPK konfirmon në detyrë ndihmësin ligjor të Gjykatës së Lartë, Besmir Rrapaj