Ballina Flash

Osmani bisedon me O’Brien për dialogun dhe rolin e SHBA-së në të

PRISHTINË, 8 korrik /ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, takoi në Uashington ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, James O’Brien, me të cilin tha se diskutoi për rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me aleatët amerikanë në tejkalimin e sfidave të përbashkëta.

“Bashkë, diskutuam edhe zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë dhe rëndësinë e rolit të SHBA-së për suksesin e këtij procesi”, shkroi Osmani në Facebook.

Ajo ndodhet në SHBA me ftesë të sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, për të marrë pjesë në një aktivitet për gratë, paqen dhe sigurinë, i cili mbahet në kuadër të Samitit të NATO.

Samiti, që përkon me 75-vjetorin e themelimit të aleancës ushtarake, mbahet nga data 9 deri më 11 korrik.

O’Brien, në disa raste, i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i zbatojnë marrëveshjet e dala nga bisedimet mes tyre.

“Për të ecur përpara, ne kemi nevojë për zbatimin e marrëveshjeve të ndërmjetësuara nga BE-ja, përfshirë ‘përparimin urgjent’ në hapat që çojnë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”,tha O’Brien në prill të këtij viti.

Në fund të qershorit, ai po ashtu ka thënë se Serbia ka premtuar se Millan Radoiçiq, i cili e ka pranuar përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë – pjesa veriore e Kosovës – do të përballet me drejtësinë.

Sulmi ka ndodhur në shtator të vitit të kaluar dhe Radoiçiq besohet se është i lirë në Serbi.

Dorëzimi i tij ka qenë edhe një prej kushteve që ka nxjerrë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për të vazhduar dialogun në nivel të lartë me Serbinë. /REL/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBRUKSEL – Aleanca e ekstremit të djathtë të Orbanit krijon grupin e Parlamentit Evropian
Artikulli tjetërParashikimi i motit, e martë, 9 korrik