Ballina Bota

BM – Starmer njofton përbërjen e kabinetit të ri

LONDER, 6 korrik /ATSH-AA/ – Pas fitores dërrmuese elektorale të Laburistëve, kryeministri Keir Starmer njoftoi disa emërime kyçe në kabinetin e tij të ri.

Angela Rayner është emëruar zv/kryeministre dhe sekretare e shtetit për ngritjen e nivelit, strehimin dhe komunitetet.

Rayner, një figurë e shquar e Partisë Laburiste, do të luajë një rol vendimtar në drejtimin e agjendës së qeverisë për barazinë sociale dhe reformën e strehimit.

Rachel Reeves gjithashtu bëri histori duke u bërë gruaja e parë kancelare e Thesarit në Mbretërinë e Bashkuar.

Në historinë 800-vjeçare, roli kryesor i Thesarit nuk është mbajtur kurrë nga një grua deri më tani.

Reeves, duke shprehur nderimin e saj për emërimin, tha: “Është nderi i jetës sime që jam emëruar Kancelar i Thesarit. Rritja ekonomike ishte misioni i Partisë Laburiste. Tani është një mision kombëtar.”

David Lammy u emërua sekretar i jashtëm, duke marrë përgjegjësinë për marrëdhëniet ndërkombëtare të Mbretërisë së Bashkuar gjatë një periudhe vendimtare të shënuar nga sfidat ekonomike globale dhe tensionet gjeopolitike.

Yvette Cooper është emëruar sekretare e Brendshme, e ngarkuar me mbikëqyrjen e sigurisë së brendshme të vendit, imigracionin, ligjin dhe rendin.

John Healey do të shërbejë si sekretar i mbrojtjes, posti përgjegjës për strategjinë e mbrojtjes së vendit dhe forcat e armatosura.

Në zgjedhjet e së enjtes, Laburistët siguruan 412 nga gjithsej 650 vende ulëset.

Partia Konservatore, e cila drejtoi vendin për 14 vitet e fundit, pësoi një humbje të madhe duke humbur 250 mandate dhe duke rënë nga 471 në 141./ /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAXHENDA NDËRKOMBËTARE 06/7/2024
Artikulli tjetërIRAN – Masoud Pezeshkian fiton zgjedhjet presidenciale