Ballina Aktualitet

Kukës, masa për parandalimin e zjarreve në pyje

TIRANË, 21 qershor /ATSH/ Ministria e Brendshme njoftoi sot se në Kukës është mbajtur një takim për të diskutuar masat për parandalimin, rritjen e bashkëpunimit dhe përballimin e situatave të zjarreve gjatë stinës së verës në sipërfaqet pyjore dhe kullota.

Sipas njoftimit, takimi ka pasur në qendër të vëmendjes disa pika kyçe, si rritja e bashkëpunimit midis strukturave të qarkut për të përballuar situatat e zjarreve në pyje gjatë sezonit veror; forcimi i masave parandaluese dhe reagimit për të adresuar situatat e mundshme të zjarreve në pyje dhe kullota, duke u bazuar në udhëzimet e Drejtorisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin (MZSH); përmirësimi i gatishmërisë së forcës reaguese, përfshirë punonjësit, automjetet, mjete dhe pajisjet e ndërhyrjes zjarrfikëse; vendosja dhe funksionimi i stacioneve provizore zjarrfikëse në zonat turistike bregdetare, për të siguruar gatishmëri gjatë periudhës së sezonit turistik.

Ministria e Brendshme sqaron se Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin po koordinon takime me autoritetet vendore dhe agjencitë e zbatimit të ligjit në të 12 prefekturat e vendit, në përpjekje për të ndërmarrë masat parandaluese të nevojshme për të reduktuar rrezikun nga zjarret në këtë stinë kritike.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSpiropali:Atmosferë magjike e mjeteve Retro në Shkodër
Artikulli tjetërEURO2024 – Polonia nuk e ndal dot valsin austriak