TIRANË, 14 qershor /ATSH/ Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, grupi i Rithemelimit të Partisë Demokratike si dhe Partia e Lirisë vijuan sot protestën e 12-të përpara bashkisë së Tiranës, ku kërkojnë dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Protestuesit po ndjekin të njëjtin skenar si në protestat e shkuara, duke hedhur molotovë drejt godinës së bashkisë, si dhe duke demonstruar akte dhune.
Po ashtu ata kanë vendosur goma të vjetra para bashkisë të cilave u kanë vënë flakën, ndërkohë që Policia bëri thirrje për vetëpërmbajtje.
Më herët, Policia njoftoi masat e marra për mbarëvajtjen e rendit të sigurisë, duke u bërë thirrje organizatorëve të distancohen nga dhuna, teksa ka vendosur një perimetër sigurie rreth bashkisë.
Në fjalën e mbajtur gjatë protestës, drejtuesi politik i PD-së për degën e Tiranës, Belind Këlliçi u shpreh se kushdo që ka prekur taksat e qytetarëve të Tiranës, që ka grabitur qytetarët do të përballet me drejtësinë dhe do të shkojë atje ku e meriton.
“Demokratë mos u mërzisni, me betejën tuaj, me qëndresën tuaj, ia dolëm të shembim planin e Edi Ramës që donte të linte vendin pa opozitë”, tha Këlliçi.
Këlliçi tha se “Bashkia e Tiranës është një çerdhe korrupsioni, ndërsa i drejtoi një thirrje Policisë së Tiranës që të arrestojë hajdutët që ndodhen në Bashki dhe mos guxojë të prekë qytetarët”.
Dorian Teliti, nënkryetari demokrat i këshillit bashkiak të Tiranës tha se qytetarët do e fitojnë betejën e tyre, pasi kjo është e drejta e tyre.
“Jemi këtu kundër abuzimit, kundër vjedhjeve. Ju që merrni urdhra të paligjshëm mos i zbatoni ato, mos u bëni shkelës të ligjit, mos u bëni bashkëfajtorë”, tha Teliti.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, njëkohësisht anëtar i këshillit bashkiak të Tiranës u shpreh se “zjarri i revoltës qytetare nuk fiket”.
“Erion Veliajt i ka ardhur dita të japë llogari. Ai nuk mund të mbrohet dot nga banditë me uniforma Policie”, tha ai.
/m.m/r.e/























