Ballina Flash

Koncert për mbretin e Pop-it, në Durrës

TIRANË, 14 qershor/ATSH/ Orkestra simfonike e TKOB realizoi mbrëmë koncertin “Michael Jackson: Historia dhe legjenda e mbretit të pop-it”, në sheshin “Rezistenca” të qytetit të Durrësit. Orkestra interpretoi nga “Thriller”, “Beat it”, “Heal the World” e deri te “Billie Jean”, duke përcjellë për të pranishmit e shumtë hitet më të njohura të “mbretit” të muzikës Pop.

Në skenë janë ngjitur dhe dy solistët Clarissa Vichi dhe Mattia Sciascia, ndërsa koncerti u dirigjua nga mjeshtri italian Roberto Molinelli.

Koncerti i solli Durrësit një atmosferë elektrizuese duke bërë që publiku i mbledhur në sheshin “Rezistenca” të këndojë e vallëzojë së bashku me artistët.

Ky ishte një rikthim për kompozitorin dhe dirigjentin e famshëm italian Roberto Molinelli, i cili ishte edhe në dy koncertet që korrën sukses të jashtëzakonshëm në TKOB, “Queen: Show must go on” dhe “Paganini in Jazz”. Sonte në orën 20:00, koncerti kushtuar Michael Jackson do të shfaqet në sallën e TKOB.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAnëtarësimi në SEPA, Sejko: Përfitime në fushat e tregtisë, turizmit, remitancave e investimeve direkte
Artikulli tjetërSërish molotovë në protestën e opozitës para bashkisë së Tiranës