Ballina Ekonomi

Miratohen rregullat e funksionimit të Komisionit të Objekteve të Konfiskuara

TIRANË, 12 qershor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot rregullat për organizimin dhe funksionimin e Komisionit të Objekteve të Konfiskuara.

Komisioni u ngrit në funksion të ligjit “Për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje, me qëllim përdorimin e tyre për interes publik apo strehim social, si dhe zbutjen e pasojave sociale të shkaktuara”.

Sipas vendimit të sotëm, Komisioni është organ kolegjial, i cili krijohet pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe në ushtrimin e veprimtarisë së tij mbështetet nga struktura përgjegjëse për pronat e paluajtshme në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, si sekretariat teknik (në vijim sekretariati).

Komisioni përbëhet nga 9 anëtarë dhe mandati i anëtarit të Komisionit është 3 vjet, me të drejtë riemërimi.

Anëtari qëndron në detyrë dhe përmbush funksionet deri në emërimin e anëtarit të ri. Mandati i anëtarit të Komisionit mbaron kur përfundon afati 3-vjeçar nga emërimi; lirohet nga funksioni zyrtar; jep dorëheqjen; ndodhet në kushtet e konfliktit të vazhdueshëm të interesit; për shkaqe objektive që e bëjnë të paaftë për të kryer funksionet e ngarkuara; nuk merr pjesë në 3 mbledhje të njëpasnjëshme, pa një shkak të ligjshëm; dënohet me vendim penal të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale.

Ministri përgjegjës i pronës shtetërore cakton si kryetar të Komisionit një nga dy përfaqësuesit e ministrisë përgjegjëse për pronën shtetërore.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBRUKSEL – KE paraqet planin për rregullat e reja të migracionit deri në vitin 2026
Artikulli tjetërVeliaj me socialistët e Njësisë 4: PS, forcë fituese në zgjedhjet e 2025-ës