Ballina Aktualitet

Bakiu: Programi i PD-së forcon ekonomikisht familjet shqiptare

TIRANË, 7 qershor/ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Merita Bakiu u shpreh sot se programi i PD-së forcon ekonomikisht familjet shqiptare.

Në një intervistë televizive, Bakiu foli për programin e prezantuar gjatë Kuvendit Programor të kësaj force politike.

Sipas saj, “kjo është hera e parë që një forcë politike ka prezantuar kaq herët programin e saj”.

Duke u ndalur edhe te propozimet konkrete për familjen, gruan dhe arsimin, Bakiu u shpreh se ato vijnë si rezultat i punës së një grupi të gjerë ekspertësh, vendas e të huaj.

“Para ka, problemi është te menaxhimi i tyre. Paratë janë tek inceneratorët, tek PPP-të korruptive, te qasja 5D. Paratë janë në Shqipëri, por paratë duan t’i çojnë tek korrupsioni, t’i vjedhin. Të gjitha ato që janë thënë në fushën e arsimit janë të mundshme. Është shumë e mundshme që fëmijët të mbahen në shkollë deri në orën 4, me ushqim. Me këtë ne i japim një ndihmë edhe nënave që të jenë të punësuara dhe të forcohen ekonomikisht”, tha ajo.

Po ashtu, Bakiu tha se “në programin e PD-së ka 10 mijë studentë që mbarojnë vitin e praktikës dhe ne do t’u japim pagesë”.

“Gjithashtu është hera e parë që në një program qeverisës jepet një shpërblim për familjen shqiptare, për çdo fëmijë, fëmijën e parë dhe të dytë nga 2 mijë euro dhe fëmija i tretë 20 mijë euro. Kjo është një arritje që nuk ka ndodhur asnjëherë dhe do të jetë e realizueshme”, tha Bakiu.

/m.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAsgjësohen mbi 6 mijë bimë kanabis në Shkodër, Kukës dhe Vlorë, procedim penal 2 kryepleqve
Artikulli tjetërPlotësimi i vakancave, Llagami: KLGJ promovoi 13 gjyqtarë, u emëruan 41 magjistratë të rinj