TIRANË, 6 qershor /ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla përjashtoi sot nga seanca deputetin e Partisë Demokratike, Flamur Noka për gjuhë të pahijshme të përdorur në seancë.
Nikolla akuzoi gjithashtu Nokën se e kërcënoi gjatë seancës.
“Po më kërcënon. Turp të kesh! Je i përjashtuar!” i tha Nikolla Nokës.
Deputeti demokrat iu drejtua Nikollës duke i thënë: Je përfaqësuese dinjitoze e narkoshtetit, je fytyra e turpit e parlamentit dhe do hysh ne histori si e tillë. Sali Berishën nuk e ndalon dot askush të futet. Ju keni rrëmbyer vulën, keni emëruar një mercenar atje”, u shpreh Noka.
“Ju përsëris edhe njëherë, kush ka dal me vendim partie, nuk mund të futet me vendim grupi. Mos ta përsërisim sërish, ju lutem. E mbaruar kohën tuaj Noka. E di që je peng dhe të kanë urdhëruar”, tha Nikolla.
Seanca e sotme e Kuvendit nisi me debate duke detyruar kryeparlamentaren Lindita Nikolla të ndërpresë punimet për 5 minuta.
Debatet erdhën pasi kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi kërkoi futjen e ish-kryeministrit Sali Berisha në grupin parlamentar të PD-së.
Kërkesa e tij u refuzua nga Nikolla, me argumentin se ka një vendim partie për përjashtimin e tij nga grupi i PD-së.
Megjithatë kjo nuk u pranua nga deputetët e PD, të cilët bllokuan foltoren, duke hedhur akuza mbi kryeparlamentaren Nikolla.













