Ballina Aktualitet

Takimi i Rrjetit Parlamentar “Gratë të Lira nga Dhuna”, në Kuvend

TIRANË, 5 qershor /ATSH/ Në Pallatin e Kongreseve filloi sot takimi i Rrjetit Parlamentar Gratë të Lira nga Dhuna dhe Komisionit për Barazi dhe Mosdiskriminim, organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe Këshilli i Europës.

Sesioni i parë i këtij takimi u moderua nga reporterja e Përgjithshme e AP të KiE për Dhunën ndaj Grave, Etilda Gjonaj.

Në këtë sesion përshëndetën kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, Linda Rama eksperte e Lartë e Politikave Publike, Louise Barton drejtore e Përgjithshme në Asamblenë e Këshillit të Europës, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Shoqërore, Albana Koçiu, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu, tha se, deri tani nga ministria është punuar aktivisht në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar, për rritjen e ndërgjegjësimit kundër dhunës ndaj grave, dhe kjo do vijojë edhe në vazhdim.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manstirliu, në fjalën e saj u shpreh se arsimi dhe edukimi është aleati kyç në luftën kundër dhunës me bazë gjinore dhe dhunës digjitale, dhe ministria e Arsimit dhe Sportit do të japë kontributin e saj në këto sfida kaq të rëndësishme dhe shqetësuese për ditët e sotme, për zhvillim e fëmijëve, zhvillimin social të shoqërisë sonë.

Reporterja e Përgjithshme e AP të KiE për Dhunën ndaj Grave, Etilda Gjonaj, në fillim të fjalës së saj, u shpreh se, “vitet e fundit, Tirana është shndërruar në një “hub” strategjik për pritjen dhe organizimin e takimeve të rëndësishme ndërkombëtare, duke promovuar dialogun dhe bashkëpunimin për çështje të ndryshme globale. Këto takime, jo vetëm që kanë treguar rëndësinë diplomatike në rritje të Shqipërisë, të një Shqipërie që aspiron në dëshirë ashtu si edhe në përpjekje titanike për të qenë anëtare e Bashkimit Europian, por gjithashtu kanë lehtësuar diskutimet jetike mbi stabilitetin dhe zhvillimin rajonal. Roli i Tiranës si qendër diplomatike vazhdon të zgjerohet, duke nxitur bashkëpunimin dhe mirëkuptimin midis kombeve”.

“Ndërsa krenohemi me rrugëtimin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë dhe me përpjekjet konkrete të saj për të përmbushur standardet e BE-së dhe për të përqafuar vlerat e larta të KiE, angazhimi ynë, angazhimi i Kryeministrit dhe i Qeverisë për të siguruar që çdo individ, veçanërisht gratë, të mund të ndjejnë plotësisht përfitimet e përparimit të vendit tonë, duke jetuar në një shoqëri pa dhunë, mbetet i palëkundur”, theksoi Gjonaj.

Ndërsa, Louise Barton, Drejtore e Përgjithshme në Asamblenë e Këshillit të Europës, u shpreh se, “prania e nivelit të lartë nga pala shqiptare në këtë takim, për diskutimin e çështjeve të ndryshme, tregon rëndësinë që Shqipëria i jep çështjeve të barazisë, përfshirë këtu mbrojtjen e të drejtave të grave, mbrojtjen e tyre ndaj dhunës në të gjitha nivelet e shoqërisë”.

Po ashtuHelga Maria Schmid, Sekretare e Përgjithshme e OSCE dhe Stella Ronner-Grubacic, Ambasadore BE për Gjininë dhe Diversitetin, përshëndeten takimin me video-mesazh.

Në fund, Nikolla dhe Gjonaj, falenderuan Linda Ramën për mesazhet e fjalës së saj në këtë takim, koleget deputete e ministre, përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare, ekspertet dhe përfaqësueset e shoqërisë civile për kontributin e tyre, Sekretaren e Përgjithshme të AP të KiE,  Despina Chatzivassiliou-Tsovilis, dhe Komisionin për Barazi dhe Mos-Diskriminim, për kontributin në organizimin e këtij aktiviteti.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKombëtarja seancë stërvitore në Austri, grupi i plotë nën urdhrat e trajnerit Silvinjo
Artikulli tjetërManastirliu: Edukimi, aleati kyç në luftën kundër dhunës me bazë gjinore