Ballina Bota

GJERMANI – Macron në një vizitë të rrallë shtetërore

BERLIN, 26 maj /ATSH-DPA/ – Presidenti francez, Emmanuel Macron fillon sot vizitën e parë shtetërore në Gjermani nga një president francez në 24 vjet, një udhëtim treditor plot shkëlqim që përshkruhet si një borxh për miqësinë franko-gjermane.

Macron do të mbërrijë në Berlin në orën 14:00 (12:00 GMT).

Ai do të shkojë fillimisht në zonën qeveritare, ku do të mbahet “Festivali i Demokracisë” që feston 75-vjetorin e Kushtetutës së Gjermanisë – kushtetutën demokratike të miratuar në Gjermaninë Perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore.

Në atë kohë, Gjermania Perëndimore ishte nën pushtimin e Aleatëve Perëndimorë fitimtarë, të cilët përfshinin Francën, BM dhe SHBA dhe ish-BS.

Në orët e vona të pasdites do të vijojë një konferencë e përbashkët për shtyp e dy presidentëve.

Një shëtitje në Portën e Brandenburgut me kryebashkiakun e Berlinit, Kai Wagner dhe një banket shtetëror në pallatin ”Bellevue” është planifikuar për në mbrëmje.

Vizita e së dielës vjen përpara zgjedhjeve evropiane për të vendosur Parlamentin e ardhshëm Evropian.

Partitë e ekstremit të djathtë të BE-së kanë parë një rritje të mbështetjes vitet e fundit – duke përfshirë Francën dhe Gjermaninë – dhe pritet të dalin mirë në zgjedhjet e 6-9 qershorit.

Marrëdhënia midis Parisit dhe Berlinit është parë prej kohësh si forca lëvizëse e politikëbërjes evropiane.

Por, fërkimet filluan të shfaqen në vitin 2022, pasi Angela Merkel u largua nga skena politike gjermane, megjithëse Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz së fundmi kanë bërë përpjekje për të përmirësuar bashkëpunimin.

Macron dhe bashkëshortja Brigitte do të udhëtojnë për në Dresden të hënën. Atje, ai do të mbajë një fjalim mbi politikën evropiane përpara Frauenkirche – një kishë monumentale me kube që është simbol i pajtimit të pasluftës.

Të martën, ata do të udhëtojnë për në Munster, ku Macron do t’i jepet Çmimi i Paqes së Vestfalisë.

Macron erdhi në pushtet në Francë shtatë vjet më parë dhe nuk mund të kandidojë për një mandat të tretë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të vitit 2027.

Vizita zyrtare shtetërore është e para e një presidenti francez në Gjermani që nga viti 2000, megjithëse liderët nga të dy vendet takohen dhe vizitojnë rregullisht në mënyra më pak formale.

Macron kishte planifikuar të bënte vizitën shtetërore korrikun e kaluar./ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Nisemi nga Rinasi për vallen e dytë kuqezi në Europë
Artikulli tjetërSHBA – Biden: Putin një tiran brutal