Ballina Flash

“Final 4”, përcaktohet ndarja e tribunave në finalen Partizani–Egnatia

TIRANË, 20 maj/ATSH/ Partizani–Egnatia është finalja e këtij sezonin në kampionatin “Abissnet Superiore” që do të luhet të dielën më datë 26 maj në orën 19:00, në stadiumin “Air Albania”. Një finale e madhe mes dy skuadrave më të mira të këtij sezoni që edhe pas përfundimit të kampionatit të rregullt e mbyllën me pikë të barabarta në renditje.

Një ndeshje e rëndësisë maksimale ku drejtësi në këtë sfidë do të vendosë gjyqtari anglez, Anthony Taylor.

FSHF si organizatore e ndeshjeve të “Final Four” ka përcaktuar edhe ndarjen e tribunave për tifozët në finalen e madhe të 26 majit, Partizani – Egnatia.

Në sektorin N do të vendosen tifozët e Partizanit, ndërsa sektori S është i rezervuar për tifozët e Egnatias. Në tribunën kryesor, sektorët W 101, W 102 dhe W 103 janë në dispozicion të tifozëve të Partizanit, ndërsa në sektorët W 105, W 106 dhe W 107 do të vendosen tifozët e Egnatias.

Të gjitha tribunat e tjera në stadiumin “Air Albania” do të jenë në dispozicion të tifozëve të dyja skuadrave dhe për të gjithë futbolldashësit e kampionatit shqiptar.

Gjithashtu është përcaktuar edhe ndarja e tribunave për finalen e vogël për vendin e tretë/katërt Skëndërbeu – Vllaznia që do të luhet të premten më datë 24 maj në orën 19:00, në stadiumin “Air Albania”.

Në këtë sfidë tifozët e Skënderbeut do të pozicionohen në sektorin N, ndërsa tifozët e Vllaznisë në sektorin S. Në tribunën kryesore, sektorët W 101, W 102 dhe W 103 janë në dispozicion të tifozëve të Skënderbeut, ndërsa në sektorët W 105, W 106 dhe W 107 do të vendosen tifozët e Vllaznisë.

Ndërsa tribunat e tjera do të jenë në dispozicion të tifozëve të dyja skuadrave dhe për të gjithë futbolldashësit e kampionatit shqiptar.

Biletat për finalen e madhe të 26 majit Partizani – Egnatia dhe për finalen e vogël për vendin e tretë/katërt Skënderbeu – Vllaznia mund të blihen online në ebileta.al si edhe në pikat fizike pranë stadiumit “Air Albania” dhe stadiumit “Selman Stermasi” në fashën orare 10:00-18:00.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakI dënuar për drogë në Itali, i sekuestrohen 300 000 euro pasuri në Tiranë
Artikulli tjetërRama ndan pamjet: Anijet e para turistike në Shkodër