TIRANË, 16 maj /ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka dërguar për gjykim dosjen hetimore ndaj katër të pandehurve, që akuzohen si pjesë e një grupi kriminal, të cilët tentuan të vrisnin shtetasit Ervis Matodasha dhe Inez Hajrulla.
SPAK njofton se ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar dosjen hetimore për Gjykim në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të pandehurit: Leonard Luzi ( Zejno, Sejno), Amarildo Nikolli (Xhanej), Muharem Koroveshi (alias Muharem Ismaili alias Muharem Myftaraj) dhe Erio Zejno.
Sipas SPAK, të pandehurit akuzohen për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasve Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla, “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armeve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunimin e posaçëm atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
Sipas SPAK, hetimet provuan se vrasja e shtetasve Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla, është porositur për hakmarrje dhe për marrjen në kontroll të lojërave të fatit. SPAK njofton se, pas dërgimit për gjykim të procedimit penal në ngarkim të katër të pandehurve të mësipërm, vazhdojnë hetimet në kuadër të një procedimi penal të ndarë, i cili synon zbulimin e bashkëpunëtorëve të tjerë në kryerjen e veprave penale.
/a.f/r.e/













