Ballina Flash

Takimi me Nikollën, Vokshi: Të normalizohet puna e komisionit hetimor të sterilizimit dhe check-up

TIRANË, 14 maj/ATSH/ Kryetarja e Komisionit Hetimor për Shëndetësinë, Albana Vokshi zhvilloi sot një takim me kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla, me të cilën diskutoi për ngërçin e krijuar në komisionin parlamentar që po heton shërbimet publike të Sterilizimit dhe të Check-up në Shëndetësi.

Në një prononcim për mediet, Vokshi tha se “ishte një takim i kërkuar në mënyrë të përsëritur nga ana ime dhe deputetët e opozitës”.

“Ne të gjithë e informuam Nikollën për sa i përket bllokimit nga ana e mazhorancës sa i përket punimeve të komisionit hetimor. Ky bllokim është në funksion të një skenari të mirëmenduar për të mos vijuar hetimi parlamentar që me shumë gjasa komandohet nga korrupsioni jashtë Kuvendit të Shqipërisë, pra korrupsioni i përfaqësuesve të dy koncesioneve të sterilizimit dhe check-up”, u shpreh Vokshi.

Sipas saj, Nikolla u informua edhe sa i përket atyre që i konsideroi “votime skandaloze me firma të deputetëve të mazhorancës të dorëzuara në protokoll, të cilat praktikisht kanë eliminuar komisionin, kanë zëvendësuar mbledhjet e komisionit dhe votimin si një procedurë formale madje e përcaktuar qartazi në rregulloren e Kuvendit dhe në ligjin për komisionet hetimore”.

“Thelbi i asaj që kemi kërkuar në takimin me Nikollën është që ajo të merrte përgjegjësitë e funksionit të saj si kryetare e Kuvendit dhe të ndërhynte për rikthimin në normalitet të punëve të komisionit hetimor dhe hetimit parlamentar. Shprehëm gatishmërinë e opozitës për hetim intensiv dhe të thelluar dhe kjo është e panegociueshme nga ana e deputetëve të opozitës në komision”, vijoi Vokshi. 

“Dua t’ju informoj po ashtu se në 9:30 kemi pasur një takim të kryesisë së vogël me kërkesën time dhe u dakordësua  që të premten që vjen në orën 12:00 do të bëjmë mbledhjen e radhës ku në rendin e ditës janë prezantimi nga ana e ekspertëve të planit hetimor, që shpresoj të jetë një plan hetimor i përbashkët”, informoi ajo. 

“T’i kërkojmë ekspertëve të ulen këto dy ditë dhe të punojnë për të rishikuar planin paraprak dhe mundësisht të arrihet në një plan i përbashkët duke respektuar objektin e komisionit hetimor, si dhe shqyrtimin dhe miratimin e kërkesave për informacion”, tha Vokshi. 

/k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBM – Cameron dënon sulmet ndaj autokolonave të ndihmës nga ‘ekstremistët’ izraelitë
Artikulli tjetërNdalimi i vizitës së Porferije, BE: Kosova shkeli marrëveshjen e vitit 2014