Ballina Ekonomi

Denaj: Shqipëria ka arritur të ruajë një situatë epizootike të pastër

TIRANË, 13 maj /ATSH/ Në Tiranë u mbajt për herë të parë takimi, i Urdhrave të Mjekëve Veterinarë nga Europa, “Visegrad Vet Plus”, ku u diskutuan mbi zhvillimet më të fundit për ndryshimet veterinare në Bashkimin Europian.

E pranishme në këtë takim, ministrja e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural, Anila Denaj, theksoi rëndësinë e shërbimit veterinar dhe rolin e tij në sigurinë ushqimore dhe shëndetin publik, sipas konceptit shëndeti i kafshëve në dobi të shëndetit të njeriut (“one health”).

Ajo u shpreh se fokusi i Ministrisë së Bujqësisë është mbrojtja e shëndetit të konsumatorit, duke mbështetur shërbimin veterinar privat dhe shtetëror.

“Falë punës së dedikuar ndaj veterinerëve dhe kontrolleve të vazhdueshme për monitorimin e mbarëvajtjen e këtij sektori, Shqipëria ka arritur të ruajë një situatë epizootike të pastër në mbarë vendin, duke çuar në 650 numrin e veterinerëve të punësuar pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe institucioneve të varësisë”, tha Denaj.

Sipas saj, një rol thelbësor në përmirësimin dhe zhvillimin e rolit të veterinerit luan përafrimi legjislativ në procesin e integrimit evropian, i cili është një guidë e shkëlqyer në këtë proces, për të rritur investimet në teknologji dhe cilësinë e shërbimeve veterinare.

Temë thelbësore ishte rritja e kapaciteteve veterinare, trajnimi i vazhduar dhe përmirësimi i njohurive më të fundit të shkencës veterinare, një profesion kryesor dhe i pazëvendësueshëm në mirëqenien e kafshëve dhe shëndetin publik.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVrasja e efektivit në Fier, Policia: 30 000 euro për këdo që informon vendndodhjen e autorit
Artikulli tjetërTabaku: Shqipërisë i duhet një reformë pensionesh