TIRANË, 9 maj /ATSH/ Policia e Tiranës ka ndaluar një person, i cili akuzohet për veprime të dhunshme dhe prishje qetësie gjatë zhvillimit të protestës të zhvilluar ditën e martë përpara Bashkisë së Tiranës.
Në një njoftim për mediet, Policia e Tiranës bën të ditur se i ndaluari është 48-vjeçari me inicialet S.B, banues në Krujë. Ndaj tij janë ngritur dy akuza: “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
“Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në lidhje me aktet e dhunshme të ushtruara gjatë dy protestave të fundit, përpara Bashkisë Tiranë, nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në vijim të veprimeve hetimore e procedurale dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ndaloi shtetasin: S. B., 48 vjeç, banues në Krujë, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”. Materialet i kaluan Prokurorisë për hetime të mëtejshme”, njofton Policia e Tiranës.
/a.f/












