Ballina Aktualitet

Rama: Sot do të ndalem vetëm tek e vërteta jonë

Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e grupit parlamentar dhe qeverisë, foto: Florian Abazaj

TIRANË, 7 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, PS mori detyrën në vitin 2013 për të rilindur Shqipërinë e rrënuar nga duart e disave, të cilët siç u shpreh ai “klithin ditë- natë të izoluar nga penxheret majë pallateve apo bërtasin të shfrenuar foltoreve dhe penxhereve të televizorëve”.

Në mbledhjen e zhvilluar sot me grupin parlamentar dhe kabinetin qeveritar për adresimet mbi qeverisjen, ligjin, korrupsionin dhe Nismën e Re Kombëtare për Shqipërinë 2030, Rama kërkoi vëmendjen e deputetëve dhe ministrave  si dhe vëmendjen e atyre që e kanë votuar, qysh prej zgjedhjeve të vitit 2013.

Rama tha se, “bëhet një përpjekje ekstreme për të helmuar publikun dhe për të krijuar një hendek mes nesh dhe shumicës së shqiptarëve, të cilët na kanë votuar, besuar mbështetur pa kursim në gjithë këto vite”.

Por, theksoi kryeministri, “unë sot nuk do të ndalem as tek gjysmë të vërtetat, të cilat e kanë thënë njerëz shumë më të mençur se unë, janë gënjeshtrat më të mëdha. As tek shpifjet, akuzat e rreme apo fabrikimet djallëzore”.

“Sot do të përqendrohem vetëm tek të vërtetat që lidhen me mirëqeverisjen korrupsionin dhe sundimin e ligjit në Shqipëri 10 vjet qysh se ne jemi në detyrë, qofshin të vërteta të ëmbla për të cilat s’mund të mos jemi krenarë, qofshin të vërteta të hidhura, për të cilat nuk ka si të na vijë mirë, por s’ka më mirë sesa t’i shohim në sy ashtu siç janë”, u shpreh Rama.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakJava e 35-të e Superligës, tre skuadra në “luftë” për vendin e 4-t
Artikulli tjetërFOKUS – Pistorius diskuton politikën e sigurisë gjatë vizitës në SHBA dhe Kanada