Ballina Flash

Rama: Sot në Shkodër, edicioni i 6-të i “Swing Marathon”

TIRANË, 27 prill /ATSH/ Nisi sot në Shkodër edicioni i gjashtë i “Swing Marathon”, organizuar nga Hemingway Fan Club Albania në Ditën Ndërkombëtare të Xhazit.

Lajmi bëhet me dije nga kryeministri Edi Rama, në një postim në rrjetet sociale.

I konceptuar si një aktivitet që të kthen në vitet ’40-50 dhe i shtrirë gjatë gjithë ditë së sotme, “Swing Marathon” filloi në pedonalen e qytetit, ku në 20 stenda artistët e rinj plot art e pasion kishin ekspozuar punimet e tyre.

Treni i “Swing Marathon”, pas dy vitesh mungesë, mbërriti sërish në stacionin e Shkodrës. Udhëtarë ishin adhuruesit e muzikës xhaz që sillnin vitet ’40 – ’50 me veshjet e tyre. “Andrra n’tren” i kushtohet ditës ndërkombëtare të kësaj muzike, e cila në në Shkodër i ka fillesat në vitet ’20 të shekullit të kaluar.

Pasdite, stacioni i trenit në Shkodër gumëzhiu nga zhurma e trenit me lokomotivën tradicionale, mbi të cilët qytetarë të shumtë, artistë dhe të ftuar u argëtuan me muzikë xhaz dhe fiksuan në foto momentet e bukura të kësaj pasditeje.

Banda frymore e qytetit me muzikën e luajtur i dha ritme e gjallëri aktivitetit. Grupi i motorëve “Vespa” dhe i biçiletave kishin krijuar një vitrinë të veçantë në stacion.

Maratona vijoi me paradën e bandës së qytetit dhe Mefisto Brass, nga stacioni i trenit deri në lagjen “28 Nëntori” dhe Teatrin “Migjeni”.

Në mbrëmje Shkodra u mbush me tingujt xhaz, të luajtura nga DJ të famshëm të huaj, të ftuar nga organizatorët, shoqëruar me numra koreografikë nga grupe baleti.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRithemelimi në protestë, Veliaj: Mos bllokoni dhënien e titullit “Qytetar Nderi” për Ali Ahmetin dhe ndihmën ekonomike
Artikulli tjetërParashikimi i motit, e diel, 28 prill