TIRANË, 26 prill /ATSH/- Një foshnjë palestineze e lindur para kohe, e shpëtuar nga barku i nënës së saj menjëherë pasi gruaja u vra në një sulm ajror izraelit, ka vdekur, njoftoi sot xhaxhai i saj, sipas AP.
“Sabreen Jouda vdiq dje në një spital të Gazës pasi shëndeti i saj u përkeqësua dhe ekipet mjekësore nuk ishin në gjendje ta shpëtonin”, tha xhaxhai i saj, Rami al-Sheikh.
Shtëpia e Sabreen në qytetin jugor të Gazës, Rafah, u godit nga një sulm ajror izraelit para mesnatës së së shtunës. Prindërit dhe motra e saj 4-vjeçare u vranë.
Ekipi i ndihmës së parë i çoi trupat në një spital aty pranë, ku punonjësit mjekësorë kryen operacionin cezarian urgjent ndaj nënës së saj, Sabreen al-Sakani, e cila ishte 30 javë shtatzënë.
Foshnja u mbajt në një inkubator në një njësi të kujdesit intensiv neonatal në një spital tjetër derisa vdiq pesë ditë më vonë. Sabreen u varros dje pranë babait të saj.
“Më shumë se 34 000 palestinezë janë vrarë gjatë luftës Izrael-Hamas”, sipas të dhënave të Zyrës së Shëndetësisë, e cila tha se rreth dy të tretat e të vdekurve janë gra dhe fëmijë.//a.i/























